“Euro 2028”, në Mbretëri të Bashkuar dhe në Irlandë

10.10.2023 15:00

Mbretëria e Bashkuar dhe Republika e Irlandës do ta organizojnë Kampionatin Evropian të futbollit në vitin 2028...

Mbretëria e Bashkuar dhe Republika e Irlandës do ta organizojnë Kampionatin Evropian të futbollit në vitin 2028, ka konfirmuar UEFA të martën. Komiteti Ekzekutiv dha dritën e gjelbër që Euro 2028 të mbahet në pesë vende. Oferta e Britanisë së Madhe dhe Republikës së Irlandës mbeti e vetmja pasi Turqia u tërhoq që të fokusohet në organizimin e Euro 2032 me Italinë. Euro 2028 do të mbahet në gjashtë qytete në Angli, ndërsa Irlanda e Veriut, Republika e Irlandës, Skocia dhe Uellsi do të përfaqësohen me nga një qytet.
 
UEFA është në favor që të gjitha pesë vendet të paraqiten në kualifikime, me dy vende të rezervuara për përfaqësueset që nuk sigurojnë kualifikimin përmes ndeshjeve. Federata angleze dëshiron që Anglia të ketë ndeshje kualifikuese, duke shmangur kështu dy vjet plot me miqësore.
 
 
Euro 2028 do të mbahet në qershor dhe korrik. Anglia për herë të tretë pas vitit 1996 do jetë organizatore, ndërsa Skocia për herë të dytë pas vitit 2020 do jetë vend organizator i një evropiani të futbollit. Ndërkohë Komiteti Ekzekutiv dha dritën e gjelbër që Euro 2032 të mbahet në Turqi dhe Itali. Kështu Turqia për herë të parë do të jetë mikpritëse e ndeshjeve të kampionateve  evropianë, përderisa Italia për herë të tretë do jetë nikoqir I një evropiani pas atij në vitin 1968 dhe 1980.