Maqedoni
Komisioni Anketues për Onkologjinë, Sali: Kisha informacione për rritje të borxhit
10.10.2023 15:33
Dëshmitarë të parë në Komisionin Anketues për skandalin në Onkologji u ftuan ish-ministri i Shëndetësisë...

Dëshmitarë të parë në Komisionin Anketues për skandalin në Onkologji u ftuan ish-ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali dhe ministri aktual i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski. Sali në prononcimin e tij tha se gjatë mandatit të tij 11 mujor në krye të dikasterit të Shëndetësisë brengë kryesore ka pasur rritjen e borxheve në Klinikën e Onkologjisë, dobësi në planifikimin, kontrollin dhe sigurimin e terapisë dhe mungesë e protokolleve mjekësore me të cilat do të vendosen rregulla se cilët pacientët do t’i qasen terapisë biologjike. Sali ka kërkuar formimin e këshillit të ekspertëve dhe plan për të adresuar këto çështje, që nuk është përmbushur nga ish-drejtori, Nino Vasev, andaj edhe e ka shkarkuar. Por deputetja e VMRO-DPMNE-së, Gordana Siljanovska Dafkova, pyeti se si nuk është shkarkuar drejtori ekonomik.
“E keni shkarkuar drejtorin medicinal, por nuk e keni bërë të njëjtën edhe me drejtorin ekonomik. E kam përshtypjen se ata kanë vepruar si binjakë. Pse nuk keni kërkuar që edhe ai të dorëhiqet?”, - deklaroi deputetja e VMRO – DPMNE-së, Gordana Siljanovska Davkova.
“Puna e drejtorit ekonomik gjithashtu mbikëqyrej dhe shkaku thelbësor për krijimin e borxheve dhe rritja e vazhdueshme, nuk ishte shkak e joefikasitetit të drejtorit ekonomik, gjegjësisht pamundësia e tij për të gjetur zgjidhje për pjesën financiare. Borxhet në klinikë janë rritur si pasojë e shpenzimit joefektiv të ilaçeve biologjike.”, - theksoi ish-ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali.
Sipas VMRO-së, Onkologjia ka siguruar ilaçe pa pëlqimin e Fondit të Shëndetësisë, ndërkaq nga LSDM-ja pyetën ish-ministrin Sali, nëse ka pasur dijeni për krimin në Onkologji.
“Revizioni ka theksuar se janë siguruar ilaçe, për të cilat fondi nuk ka dhënë pëlqimin, bëhet fjalë për terapinë biologjike, që paraqet shkelje direkte të ligjit për mbrojtje shëndetësore, andaj po pyes së çfarë paraqet për ju ky konstatim?”, - u shpreh kryetarja e Komisionit Anketues, Rashella Mizrahi.
“Zotëri Sali, kur ishit ministër për ato 11 muaj, a keni pasur informacione konkrete, prova për punë kriminale dhe joprofesionale në Klinikën e Onkologjisë. Nëse keni pasur çfarëdo indiciesh, prova, a i keni paraqitur në institucionet kompetente, sikurse Prokuroria Publike, Ministria e Brendshme, Inspektorati Shtetëror i Shëndetësisë, Fondin e Shëndetësisë, pasi që sipërfaqësisht thatë se keni dëgjuar dhe përgjegjësia e juaj si ministër është që ju ta paraqisni. Nëse nuk e keni bërë këtë, edhe ju jeni bashkëpjesëmarrës.”, - theksoi Martin Kostovski nga LSDM-ja.
Ish-ministri i Shëndetësisë, Sali, me përgjigje se fondi është kompetent të përgjigjet për pjesën e sigurimit të ilaçeve dhe pjesën e shpenzimit të parave, duke mohuar kështu të ketë pasur dijeni për krimet. Komisioni vazhdon punën duke dëgjuar dëshminë e ministrit Spasovski, si dhe dëshmitarëve të tjerë, 44 të propozuar nga VMRO-ja, një nga E majta dhe 27 nga LSDM-ja.
MERAL ISMAILI
