Maqedoni

Pacientët në Klinikën e Onkologjisë: Të përmirësohet gjendja aktuale

10.10.2023 16:13

Në Klinikën e Onkologjisë ende pacientët hasin në probleme nga më të ndryshmet....

Në Klinikën e Onkologjisë ende pacientët hasin në probleme nga më të ndryshmet. Një pacientit i është shkruar në raport që ka pranuar terapi për sëmundjen e kancerit, ndërsa i njëjti nuk e ka pranuar fare. Pas insistimeve dhe reagimeve të shumta nga ana e familjarëve në këtë klinikë, atëherë pacienti e ka marrë terapinë kundër kancerit.
 
“Kemi pasur problem me prindin e të cilit i kanë shkruar që ka marrë terapi dhe jemi interesuar, kemi shkuar privat dhe atje e kanë parë që nuk e ka pranuar terapinë, kemi ardhur këtu, kemi marrë masa dhe pastaj ia dhanë terapinë. Po prapë merr terapi, nuk e ka gjendjen e mirë, por pranon terapi.”, - tha një qytetarë.
 
Pacientët e tjerë që i hasëm në Klinikën e Onkologjisë thonë që e marrin terapinë në kohë dhe nuk kanë probleme. Me këtë rast takova edhe pacientë që kishin frikë të prononcoheshin para kamerave, thonin që pastaj do të neglizhohen nga personeli shëndetësor në Klinikën e Onkologjisë.
 
“Gati tre vite që marr rregullisht terapi dhe nuk kam pasur problem diçka.”, - tha një qytetar.
 
“Këtu jam nga muaji maj kohë pas kohe, kam pranuar hemoterapi dhe tash kam filluar me rrezatimin. Për mua gjithçka është në rregull, mirë kaloj.”, - u shpreh një qytetare. 
 
“Kam ardhur për herë të parë të shoh tash se si do të kaloj, jam duke pritur.”, - u shpreh një qytetar.
 
“Po, ka terapi.”, - theksoi një qytetare tjetër.
 
Disa pacientë në Klinikën e Onkologjisë ankohen që nuk kanë marrë terapinë adekuate për sëmundjen e kancerit, të tjerët thonë që presin të marrin terapitë, ndonëse me vështirësi të madhe. 
 
VLORA LATIFI TOPOJANI