Maqedoni

Kuvend, diskutohet për Rregulloren e re të Kuvendit

10.10.2023 16:30

Kuvendi së shpejti pritet të ketë rregullore të re...

Kuvendi së shpejti pritet të ketë rregullore të re. Në Komisionin Parlamentar për Rregulloren dhe Çështje të Mandatit dhe Imunitetit ka nisur debatin për Rregulloren e re të punës së Kuvendit. Duke shpjeguar propozimin, Xhaferi tha se për të ka konsensus, se po bëhet në procedurë të rregullt dhe në këtë mënyrë të gjithë deputetët do të kenë mundësi të paraqesin amendamente.
 
“Me tekstin e ri tejkalohen të gjitha mundësitë e interpretimeve të ndryshme nga konteksti i të qenit bartës i shumicës apo përfaqësues të opozitës, kështu që nuk le dilema teksti i ri për interpretim në dy fusha, tejkalohen të gjitha situatat me të cilat jemi ballafaquar si parlament, me faktin se precizohen normat në kuptimin e fillimit dhe mbarimit të aktiviteteve të punës së parlamentit për seancat në përgjithësi dhe për punën e komisioneve.”, - deklaroi kryetari i Kuvendit të RMV-së, Talat Xhaferi. 
 
Edhe sipas kryesuesit të këtij komisioni, Panço Minov, me Rregulloren e re zgjidhen shumë çështje të cilat paraqesin problem në punën e përditshme të Kuvendit. 
 
Debati rreth propozim buxhetit duhet të mbarojë në nëntor dhe i njëjti debat rreth propozim buxhetit maksimalisht zgjat 4 ditë, përderisa debati rreth amendamenteve zgjat 6 dit. Sa i përket debatit rreth amendamenteve kemi një situatë ku në qoftë se kemi një numër të madh të amendamenteve dhe nuk arrihet të diskutohen, atëherë jepen dy ditë shtesë, nëse përsëri nuk arrihet të shteret debati, atëherë të nesërmen deri në ora 24 votohet për secilin amendament.”, - theksoi Panço Minov nga OQM-ja. 
 
Rregullorja e propozuar  mori mbështetje edhe nga VMRO-DPMNE-ja.
 
“Shpresoj se është e frytshme një punë e gjatë e përbashkët shfrytëzimi dhe respektimi i kësaj rregulloreje do të varet nga kryetari i ardhshëm i Kuvendit, të mos ketë më thirrje për praktika parlamentare, por këto pjesë që arritëm t’i precizojmë të respektohen dhe të kemi një punë më efektive.”, - u shpreh Dafina Stojanovska nga VMRO-DPMNE. 
 
Të vetmit që nuk u pajtuan me këtë propozim-rregullore ishin E Majta. Kryetari i këtij subjekti, Dimitar Apasiev, tha se me këtë rregullore do të legalizohet dygjuhësia në Kuvend, kurse kjo rregullore, sipas tij është në dëm të opozitës. 
 
“Ndërkombëtarët po ju gënjejnë të dyja palët se do të vini në Qeveri zgjedhjet e ardhshme dhe me aminin e tyre ju po dëshironi të sillni një Rregullore të armiqësore kundër opozitës, duke menduar se do të jeni në pushtet të gjithë ju LSDM, VMRO, BDI.”, - theksoi Dimitar Apasiev nga E majta.
 
Përndryshe, Rregullorja e re është duke u zbatuar në procedurë të rregullt dhe është propozuar nga kryetari i legjislativit, Talat Xhaferi. Propozimi është rezultat i bisedimeve pesëvjeçare të grupeve parlamentare në kuadër të procesit, Zhan Mone, i cili zhvillohet me ndërmjetësimin e eurodeputetëve.
 
ERSAN PAJAZITI