Maqedoni

Jankullovska: Nuk jap dorëheqje pse do LSDM-ja

11.03.2015 16:31

Numri “një” i policisë, Gordana Jankullovska, e përfshirë në shumicën e audio-incizimeve të publikuara nga opozita, as pas “bombës” së tetë të LSDM-së nuk mendon të japë dorëheqje...

 Jankullovska thotë se për ta shkarkuar atë duhet të niset procedura në parlament, pasi procedurat e tilla nuk bëhen vetëm në bazë të dëshirave apo kërkesave të subjekteve të caktuara. 
 
“Opozita çdo herë ka të drejtë të kërkojë dorëheqje nga qeveria dhe nga funksionarët e saj, megjithatë procedura për këtë është institucionale dhe kalon në kuvend. Në karrierën time politike, LSDM-ja dhe disa parti të tjera politike kanë iniciuar procedura të tilla dhe në një shtet demokratik institucionet kompetente janë prononcuar në bazë të këtyre kërkesave”- deklaroi ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska.
 
Në pyetjen se pse MBP-ja nuk e arreston akoma liderin e opozitës, Zoran Zaev, kur veç më ka dy padi penale kundër tij, njëra për dhunë ndaj organeve më të larta shtetërore e tjetra për mitmarrje, Jankullovska thotë se MPB-ja punon në bazë të procedurave ligjore dhe të gjitha dëshmitë dorëzohen në Prokurorinë Publike. 
 
“Kjo është vepër penale sipas kodit penal dhe është vepër korruptive. Kjo vepër korruptive ka qenë lëndë e cila është shqyrtuar tek ne dhe i dëmtuari në fund të vitit 2013 e ka paraqitur këtë vepër deri te Prokuroria Publike, me ç’rast janë ndërmarrë aktivitete konkrete për finalizimin e dorëzimit të padisë penale”- tha Jankullovska.
 
Zaev, ndërkohë, sot është paraqitur në Prokurorinë Publike për të treguar, siç tha, se LSDM-ja respekton kushtetutën dhe ligjet. Ai ka komentuar akuzat e djeshme të ngritura nga MPB-ja.
 
“Një vit e më shumë po mundohen se si të më bëjnë proces të montuar për marrjen e parave. Kjo është katastrofë e vërtetë. Në të gjitha mënyrat po mundohen të më njollosin, por kot. Unë do të them se për momentin është duke u përgatitur padi penale nga ana ime dhe shumë shpejt të njëjtën do ta dorëzoj në Prokurorinë Publike për proces të paramenduar për marrjen e parave”- u shpreh kryetari i LSDM–së, Zoran Zaev.
 
Zaev, u shpreh i bindur se edhe përkundër gjithçkaje që është dëgjuar në audio-xhirimet e publikuara nga opozita për ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të politikës në sistemin gjyqësor, një numër i madh i të punësuarve në Prokurorinë Publike mbeten  persona të ndershëm edhe pse shumë prej tyre janë nën presion.
 
Sipas Zaevit, vetëm një pjesë e vogël e të punësuarve në prokurorinë publike janë pjesëmarrës dhe bashkëpunëtorë me qeverinë. 
 
REXHEP QAMILI