Maqedoni

NATO kërkon hetim transparent; Gruevski: garantojmë proces transparent

11.03.2015 16:48

NATO-ja është shumë e brengosur rreth zhvillimeve politike në Maqedoni, si dhe për mungesën e dialogut politik mes pozitës dhe opozitës...

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i ka kërkuar kryeministrit Gruevski në Bruksel që politikanët në Maqedoni të jenë më të përgjegjshëm në veprimet e tyre dhe të fokusohen drejt reformave dhe progresit të vendit.  
 
“I ndjekim të brengosur zhvillimet aktuale politike. Progresi i reformave varet nga dialogu politik, respektimi i sundimit të së drejtës dhe liria e mediave. Mbështetemi në ju që do t’i respektoni këto vlera. I inkurajojmë gjithë partitë politike në shtet të sillen me përgjegjësi dhe të lëshohen në një dialog të hapur dhe konstruktiv, të fokusohen në reforma politike dhe ekonomike të nevojshme për progresin e vendit në agjendën e NATO-s. Kjo është në interes të të gjithë qytetarëve të Maqedonisë”- deklaroi sekretari gjeneral i NATO-s, Jens Stolenberg.
 
Sekretari i aleancës nuk pranoi të komentojë pretendimet se shërbimet sekrete kanë përgjuar krerët e shtetit, por kërkoi hetim transparent dhe nxjerrje para përgjegjësisë të personave përgjegjës.
 
“Nuk kam mundësi të komentoj informatën që shërbimet e huaja kundërzbuluese kanë qenë aktive në Maqedoni. Potencoj rëndësinë që të ketë hetim të pavarur dhe të thellë në akuzat tejet të rëndësishme të cilat u thanë. Gjithashtu, përgjegjësitë duhet të japin llogari për atë që ka ndodhur. Pikërisht për këtë është i rëndësishëm hetimi i pavarur dhe i thelluar në lidhje me këto akuza”- tha Stolenberg.
 
Kryeministri Gruevski, ndërkohë, ishte shumë i kujdesshëm sot në deklaratat e tij dhe nuk i përmendi shërbimet e huaja. Por, kreu i ekzekutivit në  Bruksel ka premtuar hetim transparent të të gjithë procesit.
 
“Prezantova detajisht çfarë ka ndodhur në këtë periudhë të kaluar, bisedat me shefin e opozitës, dyshimet e MPB-së dhe prokurorisë të cilat tashmë janë prezantuar në gjyq, duke kyçur dhe vendimin gjyqësor i cili ekziston, si dhe pranimet e disa personave në procesin gjyqësor për aktivitete jolegale dhe keqpërdorimin e pozitës zyrtare, gjegjësisht i kanë keqpërdorur ligjet e shtetit. Të gjitha të tjerat do të jenë pjesë e procesit të mëtejshëm gjyqësor, i cili do të jetë i qartë, transparent dhe jemi të hapur për çfarëdo monitoringu në këtë pjesë”- theksoi kryeministri, Nikolla Gruevski.
 
Në takim u konkludua se anëtarësimi i Maqedonisë në NATO mbetet interes parësor i vendit dhe në këtë kontekst u potencua rëndësia e politikës së dyerve të hapura të NATO-s.
 
BESA JASHARI