Gjendja e sigurisë në Kosovë, SHBA-ja i dhuron dronë policisë së Kosovës

11.10.2023 12:33

Shtetet e Bashkuara të Amerikës...

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhuruar Policisë së Kosovës shtatë dronë, të cilët do t'i shërbejnë kësaj force për misione vëzhguese dhe taktike.

Sipas ambasadorit amerikan në Prishtinë, Xhefri Hovenier ndihma më e fundit e SHBA-së për institucionet e zbatimit të ligjit në Kosovë pasqyron përkushtimin afatgjatë të tyre për zhvillimin e Policisë së Kosovës.

“Kjo është dëshmi shtesë e besimit të SHBA-së ndaj Kosovës për kryerjen e misioneve të pavarura në luftë kundër narkotikëve dhe zbatim të ligjit. Duke e parë shkallën e aktiviteteve kriminale të grupeve të organizuara në rajon, këto mjete fluturuese pa pilotë do të jenë një burim jetik i organeve të zbatimit të ligjit në Kosovë për të luftuar veprimtarit kriminale në tokë dhe në ajër”, tha Hovenier.

Donacioni amerikan për Policinë e Kosovës vjen rreth tri javë pasi ajo u sulmua nga një grup i armatosur serbësh në fshatin Banjskë, në komunën e Zveçanit më 24 shtator, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.