Maqedoni
Prindërit nuk heqin dorë nga “Njegoshi”, nxënësit në Idrizovë ende nuk vijojnë mësimin
11.10.2023 14:57
“Është e dhimbshme që fëmijet tjerë po shkojnë në shkollë kurse fëmijët tanë kanë filluar të qajnë se nuk po mund të vazhdojnë shkollën.” ...

“Është e dhimbshme që fëmijet tjerë po shkojnë në shkollë kurse fëmijët tanë kanë filluar të qajnë se nuk po mund të vazhdojnë shkollën.”
Në këtë mënyrë prindi Rizvan Seferi përshkruan gjendjen e nxënësve shqiptarë të Idrizovës, të cilët ende nuk po mund të vazhdojnë mësimin në gjuhën e tyre amtare. Sipas tij është e pakuptimtë që përderisa Inspektoriati i Arsimit ka konstatuar se në shkollën Njegosh ka hapësira të bollshme për të mësuar, ende hapja e paraleles shqipe po pamundësohet nga komuna e Gazi Babës dhe drejtoria e shkollës.
“Në takim me ministrin ai na ka treguar se ka gjasa që nxënësit të regjistrohen në Njegosh por të mësojnë On-line, por kursesi ne nuk e pranojmë, ne këmbngulim që fëmijët të mësojnë aty në shkollë ku janë kushtet ku vet inspektorati ka deklaruar se ka kushte. Por neve po na garantojnë se për një vjet njëvit e gjysëm apo më së shumti 2 vite shkolla e re do të ndërtohet në Idrizovë. Neve kemi kërkuar që këto 13 nxënës kan qen 5 vjetë aty dhe le të durojn maqedonasit edhe një vit e gjysëm të mësojnë në Njegosh, mandej do të dalim në shkollën e re në qoftë se bohet.”, tha Rizvan Seferi nga këshilli i prindërve.
Sipas Seferit, drejtoria e shkollës po kryen kërcënime mbi prindërit e nxënësve shqiptarë, kurse kanë droje se fëmijët e tyre t’i kenë regjistruar në ditarin elektronik në shkollën e fshatit Ognjancë.
“Dje drejtoresha së bashku me stafin e vet, sekretareshën petagogun, ish drejtorin Nikollun poashtu edhe 7 arsimtarë tjerë kanë ardhë në fshatin tonë për të marrë disa deklarata që ti bindin të regjistrohen në shkolla maqedoneose të regjistrohen në Ognjacë përndryshe do të ju bëjmë padi. Pa asnjë leje pa asnjë të drejte e kanë bërë por fati që reaguam shpejt dhe i përzumë nga fshati.”, tha Seferi.
Përndryshe nxënësit në shkollën fillore Njegosh për më tepër se një muaj nuk po mund të realizojnë procesin mësimor. Pala maqedonase këmbëngul që nxënësit shqiptarë nga klasa e gjashtë deri të nëntën të mësojnë në shkollën e fshatit Ognjancë, por për prindërit shqiptarë e vetmja zgjidhje e pranueshme është që fëmijët e tyre të ndjekin mësimet në shkollën “Njegosh”.
ERSAN PAJAZITI
