Maqedoni
4 raste me “Tularemi”, mjekët bëjnë apel për kujdes
11.03.2015 17:17
Në vendin tonë janë regjistruar katër raste të të sëmurëve nga “Tularemia”, sëmundje infektive që paraqitet te brejtësit dhe bartet tek njerëzit...

Nga Instituti i Shëndetit Publik bëjnë të ditur se janë marrë të gjitha masat preventive për ndalimin e përhapjes së kësaj sëmundje infektive.
“Në Maqedoni janë të paraqitur 4 raste të të sëmurëve nga “Tularemia”. Masat parandaluese janë marrë kundër rasteve dhe masa të tjera që të vijë deri te ndalimi i përhapjes së saj. Ne i kemi kontaktuar familjarët, kemi vizituar shtëpitë e të sëmurëve dhe i kontaktuam edhe kryetarët e komunave dhe i treguar se si mund të bëhet përhapja e saj. Dy janë nga Haraçina, një nga Grushina dhe Qendra”- deklaroi Lulzime Bajrami nga Instituti i Shëndetit Publik.
Nëse kjo sëmundje nuk trajtohet me antibiotikë, mund të jetë vdekjeprurëse, ndërsa qytetarët duhet të jenë të kujdesshëm të mos vijnë në kontakt me brejtës të ngordhur.
“Në qoftë se popullata sheh se ka ndonjë mi të ngordhur apo lepuj të ngordhur, duhet të bëjnë kujdes që ata t’i kapin me dorëza dhe jo me duar pa mbrojtje”- tha Lulzime Bajrami nga Instituti i Shëndetit Publik.
“Tularemia” paraqitet tek kafshët dhe prej saj sëmuren edhe njerëzit. Ajo bartet kryesisht nga minjtë, lepujt, kitrrat, dhelprat, macet, qentë dhe derrat.
Njerëzit mund të infektohen përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me kafshë të infektuara, gjatë pickimit të rriqrave, morrave, gjatë konsumimit të ujit ose ushqimit të kontaminuar, siç është mishi i gatuar nën temperaturë prej 70 gradë celsius.
Simptomat e sëmundjes janë temperatura e ngritur, ethet, kokëdhembja dhe plogështia. Sëmundja ka kohëzgjatje prej 2 deri në 4 javë. Ajo manifestohet me enjtje të gjëndrave limfatike, bronhopneumoni, diare dhe vjellje.
“Tularemia” me sukses trajtohet me antibiotikë dhe terapi simptomatike dhe rehidruese.
Për prevenimin e sëmundjes është me rëndësi të bëhet deratizimi nga brejtësit, siç janë minjtë, prevenimi nga thumbimi i rriqrave, mbajtja e higjienës personale, larja e pemëve dhe perimeve, konsumimi i ushqimit të përpunuar termikisht dhe mbrojtja e ushqimit nga brejtësit, bëhet e ditur në komunikatën e Ministrisë së Shëndetësisë.
FLUTURA LATIFI
