Maqedoni
Strasburg, PE paralajmëron ndërmjetësim për krizën
11.03.2015 17:20
Me shumicë votash, Parlamenti Evropian sot ka miratuar rezolutën për përparimin e Maqedonisë në vitin 2014, të propozuar nga eurodeputeti slloven, Ivo Vajgëll...

Deputetët rikujtuan se problemi me emrin nuk duhet ta pengojë hapjen e negociatave, sipas tyre, ky është problem bilateral dhe nuk duhet të jetë pengesë për fillimin e negociatave.
Por, ky qëndrim zgjoi reagimin e eurodeputetëve grekë. Eurodeputetët pranuan vetëm amendamentin e Ivo Vajgëllit, i cili ka të bëjë me harmonizimin e legjislativës së Maqedonisë me atë të BE-së, si dhe përmirësimin e sistemit juridik gjyqësor.
Ashtu edhe siç pritej, në rezolutë kanë hyrë edhe ngjarjet e fundit me aferën “Puç”, përgjimet dhe kriza më e re e përgjithshme politike.
Parlamenti Evropian është i shqetësuar për klimën politike në vend, duke shtuar se kjo është në kompetenca si të qeverisë, ashtu edhe të opozitës, të cilat duhet të kujdesen për bashkëpunim politik.
“Periudha paszgjedhore është problem i cili duhet të zgjidhet në frymën e ndarjes së përgjegjësisë mes qeverisë dhe opozitës dhe shefja e diplomacisë së BE-së, Federika Mogerini, duhet të ndërhyjë në marrëveshjen mes partive”- qëndron në rezolutë.
“Parlamenti Evropian është seriozisht i shqetësuar për shkak të përkeqësimit të marrëdhënieve midis qeverisë dhe opozitës, veçanërisht në pikëpamje të paralajmërimit të fundit të akuzave kundër liderit të opozitës nga ana e kryeministrit dhe gjithashtu akuzat kontradiktore për veprat penale".
Ky është një paralajmërim për hyrje të përforcuar të BE-së si ndërmjetësuese në zgjidhjen e krizës politike në Maqedoni, edhe pse niveli në të cilin do të zbatohet kjo ende po konfirmohet.
Në rezolutë theksohet gjithashtu edhe shqetësimi për kanosjen e lirive të mediave, për përdorimin më të gjerë të vetëcenzurimit dhe praktikës së shpifjeve politike në media, si dhe varësinë e tyre nga buxheti shtetëror.
Ditëve të ardhshme pritet që delegacioni i BE-së, i përbërë nga eurodeputetët, Edvard Kukan, Ricard Hovit dhe Ivo Vajgëll, të caktojnë datë për vizitë në Shkup, me qëllim kthimin e opozitës në kuvend dhe krijimin e dialogut politik.
FLORIJE KAMBERI
