Maqedoni
Thaçi: luftë deri në vdekje LSDM-së; Zaev: do të zbardhë edhe biseda të tjera
11.03.2015 17:41
Fishekzjarre dhe biseda të montuara. Kështu i ka cilësuar kreu i PDSh-së, Mendu Thaçi, bisedat e përgjuara, të publikuara nga opozita maqedonase, e kryesuar nga LSDM...

Thaçi madje i shpalli luftë deri në vdekje LSDM-së, të cilën e cilëson si xhelat të shqiptarëve.
“Asgjë e papritur nga ana ime. Një petardë e xhelatëve të shqiptarëve 60/70 vjet, siç është LSDM-ja dhe Zaev. Një bisedë e konstruume dhe e montume. Kjo s’më bën aspak përshtypje dhe mund t’u them shqiptarëve se beteja politike me xhelatët e shqiptarëve do të vazhdojë deri në vdekje”- deklaroi kryetari i PDSh-së, Mendu Thaçi.
Mirëpo, Zaevi thotë se të gjitha bisedat janë të vërteta. Për të bindur Thaçin, ai paralajmëroi se do të publikojë biseda të plota.
“Do të merr Mendu Thaçi edhe biseda të tjera shtesë, të cilat do ta dëshmojnë atë që e themi ne dhe do t’ia hapin shpirtin e tij prej tradhtari për atë që ka bërë. Jo ndaj Zaevit, jo si opozitë, por ndaj përkrahësve të tij dhe kombit të tij”- tha kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
Kreu i PDSh-së, akuzoi edhe BDI-në për marrëveshje me LSDM-në që të mos publikojë biseda komprometuese për zyrtarët e partisë së Ahmetit.
Mirëpo, sipas tij, një gjë të tillë kundër BDI-së do ta bëjë VMRO, e cila, siç thotë Thaçi, është shumë e interesuar.
“Tash Ali Ahmeti dhe BDI janë të qetë, sepse kanë bërë pakt me Zaevin, që mos të dalin, por ai tjetri do t’ua nxjerrë, të jeni të sigurt. Unë, e dini se nuk dua të përmend gjyqe dhe prokurori etj. Shumë shpejtë do të fillojë gjygji dhe prokuroria, do të duket, për shkak se pala tjetër është shumë e interesume që t’i nxjerrë këto të BDI-së, besoj se kjo do të jetë edhe një proces i papërfunduar si duhet në aspektin e drejtësisë”- theksoi Thaçi.
Ndërkaq, BDI zgjidhjen e krizës politike, e cila u thellua edhe më shumë pas publikimit të përgjimeve, e sheh në tre dimensione.
Fatmir Besimi, zyrtar i lartë i BDI-së, thotë se për të dalë me sukses nga kjo gjendje situata kërkon zgjidhje politike, juridike dhe mbështetje të faktorit ndërkombëtar, ndërsa vendi duhet të tregojë përcaktim të qartë se mbetet në rrugën evropiane me të gjitha vlerat dhe standardet e strukturave euroatlantike.
SHPËTIM NUREDINI
