Kosovë, Kurti ngre alarmin: Ka mundësi që të përsëriten sulmet e Serbisë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti...

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të enjten herët se ka rrezik në rritje të përsëritjes së sulmeve të dhunshme nga “strukturat kriminale të Serbisë në Kosovë”.
Duke folur gjatë një mbledhjeje të Qeverisë së Kosovës në Prishtinë, Kurti tha se qëllimi kryesor i tyre është “ta fajësojnë Policinë e Kosovës dhe ta paraqesin atë si forcë shtypëse mbi serbët e Kosovës”.
Paralajmërimi i Kurtit vjen rreth tri javë pasi Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i armatosur serbësh në fshatin Banjskë, në komunën e Zveçanit, më 24 shtator, ku mbeti i vrarë rreshteri, Afrim Bunjaku.
Në luftimet që pasuan pastaj në manastirin e fshatit u vranë tre sulmues serbë. Serbia i ka hedhur poshtë akuzat e Kosovës se ajo qëndron pas sulmit të cilësuar nga autoritetet kosovare si “tentim për ta aneksuar veriun e Kosovës”, megjithëse përgjegjësinë për sulmin e mori Millan Radoiçiq, kryetari i deriatëhershëm i partisë më të madhe të serbëve të Kosovës, Lista Serbe, e cila mbështetet nga Beogradi zyrtar.
Kurti kujtoi veprimet e Serbisë pas sulmit, e cila shpalli ditë zie dhe i lartësoi si heronj tre sulmuesit serbë që u vranë në Banjskë, si nxitje për sulme të reja të mundshme në Kosovë.
