Të zhdukurit e 2001-it, gjendet trupi i Ruzhdi Veliut, varrimi nesër
Është gjetur një nga trupat e katër të zhdukurve gjatë konfliktit të 2001, ai i Ruzhdi Veliut, vëllait të kreut të SHVL-UÇK-së, Fazli Veliut...

Veliu, ishte zhdukur në vitin 2001 dhe familjarët e tij dyshonin se ai ishte kidnapuar nga forcat policore maqedonase me qëllim likuidimi. Familjarët e Veliut tashmë 12 vjet kanë shprehur dyshimin se autoritetet qëllimisht e kanë fshehur fatin e Veliut.
Ende nuk dihet asgjë për tre të zhdukurit e tjerë të 2001, Hajredin Halimin nga Shkupi, Sulltan Mehmetin nga Struga dhe Xhelil Osmanin nga Gostivari.
Në vitin 2004, në vendin e quajtur “Shpella” u gjetën trupat e Ibrahim Veliut e Zeqirja Veliut nga Shkupi dhe e Islam Veliut nga Struga.
Dalja në dritë pas 12 vitesh e mbetjeve mortore të Ruzhdi Veliut shton shpresën e familjeve të të tjerëve se më në fund do të zbardhen edhe rastet e familjarëve të tyre të zhdukur në të njëjtën mënyrë.
Nuk ka të dhëna ku dhe si u gjet trupi, por nga Shoqata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së njoftojnë se varrimi i tij do të bëhet nesër në orën 13:00 në fshatin Kollare të Kërçovës.
