“Euro 2024”, Sylvinho: Kjo është ndeshja më e rëndësishme

12.10.2023 14:16

Kombëtarja shqiptare e futbollit...

Kombëtarja shqiptare e futbollit luan sonte kundër Çekisë në "Air Albania", sfidë kjo e vlefshme për grupin E të Euro 2024.

Nga këto tri ndeshje kombëtares shqiptare i nevojiten pesë pikë. Trajneri i kuqezinjve, Silvinjo ka pranuar në konferencë për shtyp se ndeshja me Çekinë është shumë e rëndësishme, por jo vendimtare në rrugën drejt “Gjermani 2024”.

“Të gjithë ndeshjet janë të vështirë, por kjo është më e rëndësishmja për mua si trajner nëse flasim për kohën e tashme. Por nuk është vendimtare. E kam thënë edhe më parë, në nëntor vendoset kualifikimi dhe atëherë do të bëjmë llogaritë. Na duhen pikë, duhet të marrim pikë dhe do të bëjmë maksimumin për t’ia arritur objektivit. Për mua si trajner, sigurisht që kjo është ndeshja më e rëndësishme.” – u shpreh trajneri i Kombëtares shqiptare, Sylvinho.

Gjimshiti, kemi tri ndeshje të vështira

Futbollisti i Kombëtares së Shqipërisë, Berat Gjimshiti konsideron se për ta prekur kualifikimin në Euro 2024 duhet dhënë maksimumin në tri ndeshjet dhe jo vetëm në atë me Çekinë.

"Kemi tri ndeshje të vështira, të gjitha janë vendimtare. Për t'u kualifikuar duhet të japim maksimumin, jo vetëm te kjo ndeshje, por dhe dy të tjerat që do vijnë. Kështu që, duhet të shikojmë ndeshje pas ndeshja, shpresojmë t’ia dalim” – deklaroi Berat Gjimshiti.

Në ndeshjen e parë në Çeki ndjesha qe mbyllur me barazimin 1:1. Shqipëria udhëheq në grupin E të kualifikimeve për Euro 2024. Ka dhjetë pikë nga pesë ndeshje. Çekia është e dyta me tetë pikë nga katër ndeshje. Moldavia po ashtu i ka tetë pikë, por nga pesë ndeshje. Gjashtë pikë nga pesë ndeshje i ka Polonia. Me fitore ndaj Çekisë, Shqipëria thuajse do ta siguronte kualifikimin në Evropianin e vitit të ardhshëm në Gjermani. Dy të parat në grup kualifikohen në Evropian.