Maqedoni

Rruga Strugë-Qafë Thanë, tabelat e vendbanimeve, me gabime në gjuhën shqipe

12.10.2023 14:33

Në rrugën e rindërtuar që lidhë Strugën me Qafë Thanën...

Në rrugën e rindërtuar që lidhë Strugën me Qafë Thanën janë vendosur tabela të reja të vendbanimeve dhe sinjalistiskës rrugore, në të cilat emrat e vendbanimeve shqiptare janë të përkthyera nga gjuha maqedonase dhe janë të shkruara gabim. Banorët e fshatrave afër, Ladorisht dhe Frëngovë, kanë reaguar menjëherë dhe kërkojnë që tabelat të përmirësohen.

“Ky është një skandal që është bërë shumë herë dhe bëhet përsëri. Duhet menjëherë të reagohet dhe tabela të korrigjohet dhe të vihet si e ka emrin origjinal. Edhe tjetër, në vendet e banuara me shqiptarë, herën e parë të shkruajë jo Radolishta, por Ladorisht apo fshati i ardhshëm Frëngovë jo Frangovë. Është deformim i emrave shqip.”, - theksoi kryetari i Bashkësisë Lokale në Ladorisht, Xhevdet Dauti.

Reagim kanë pasur edhe nga gjuhëtarët, të cilët thonë se gabime të tilla me gjuhën shqipe ndodhin shpesh.

Gjuhëtari strugan, Xhemi Hajredini, thotë se gabime të tilla na kthejnë në kohën kur gjuha shqipe shtrembërohej qëllimisht.

Ndërsa kanë reaguar edhe specialistët e trafikut të komunikacionit, të cilët thonë se sipas tyre përveç gabimit në emrat e vendbanimeve, në disa tabela rrugore ka gabim edhe në limitin e shpejtësisë.

“Aty nuk shkruhet as trajta Radolishta as Radolisht, por shkruhet Ladorisht. Janë kthyer në shekullin XX me këto tabela rrugore, nuk e di a është faji i ndërmarrjes publike Rrugët e Maqedonisë, a e kanë konsultuar agjencinë e zbatimit të gjuhës, por qoftë njëra, qoftë tjetra, do të ishte mirë paraprakisht të ishin konsultuar me pushtetin lokal ose me ndonjë gjuhëtar të vendit që i njeh emërtimet e sakta.”, - u shpreh gjuhëtari, Xhemi Hajredini.

“Përveç përdorimit gabim të toponimeve Ladorisht, Radolishta, kanë bërë gabim edhe tek shkrimet “qendër”, ndërsa duhet qendër, le për të dëshiruar edhe kufizimi i shpejtësisë nga rrethrrotullimi i Strugës deri në Podmol, është vetëm 50km/h, gjë e cila duhet të rishikohet edhe njëherë. Ligji e parashikon që në vendbanim të jetë 50, ndërsa jashtë vendbanimit në 80, jo siç është tash gjithë kohës 50. Pra, duhet të rishikohet.”, - theksoi specialisti i trafikut të komunikacionit, Përparim Istrefi.

Reagimit i është përgjigjur edhe Agjencia për Zbatimin e Gjuhës, të cilët thonë se gabimi nuk ka qenë tek ta, por tek prodhuesit e tabelave, ndërsa është përgjigjur edhe ndërmarrja publike për rrugët shtetërore.

“Në një bisedë me mbikëqyrësin e projektit u informuam se është bërë një gabim i paqëllimshëm gjatë prodhimit të 4 tabelave, për të cilat është dhënë urdhër që të hiqen sot. Të hënën do të vendosen tabelat me përkthimin përkatës.”, - thonë nga Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore.

Edhe nga Komuna e Strugës thanë se kanë reaguar për këtë çështje menjëherë dhe presin që gabimi të përmirësohet sa më shpejtë. (Ilmie Zhaku, TVM2)