Maqedoni
Gjykimi për fatkeqësinë në Llaskarcë, vijon të shqyrtohet ekspertiza
12.10.2023 14:49
Edhe më tej në Gjykatën Penale në Shkup po shqyrtohet super-ekspertiza për fatkeqësinë e autobusit "Durmo Turs" në Llaskarcë...

Edhe më tej në Gjykatën Penale në Shkup po shqyrtohet super-ekspertiza për fatkeqësinë e autobusit "Durmo Turs" në Llaskarcë, ku humbën jetën 16 persona. Përmes kësaj super-ekspertize do të duhet të vërtetohet se cilat kanë qenë faktorët dhe arsyet për ndodhjen e këtij aksidenti.
Super-ekspertiza e komunikacionit, ashtu sikur super-ekspertiza makinerike, është përgatitur me urdhër të gjykatës, ekspertizat paraprake kanë pasur kontradikta mes tyre. Sipas dy ekspertizave, autobusi ka pasur parregullsi teknike, por këto parregullsi nuk kanë qenë shkaktar për aksidentin. Sipas tyre, shoferi edhe pse ka pasur mundësi, nuk i ka ndërmarrë veprimet e duhura për ta ndaluar autobusin, gjegjësisht nuk ka frenuar.
Sipas avokatit të shoferit të autobusit, Lupço Micevski, fokusi i ekspertizës së fundit është ta bëjnë fajtor vetëm shoferin, ndërkaq të shmangen nga përgjegjësia përgjegjësit e kompanisë së autobusit “Durmo Turs”. Ai përmes pyetjeve drejtuar ekspertit, Lupço Apostollov, tentoi të kuptojë nëse gjatë ekspertizës është konstatuar se autobusi i aksidentuar ka pasur probleme teknike. "Në të gjitha ekspertizat makinerike është theksuar se frenat nuk janë arsyeja e fatkeqësisë.", theksoi eksperti, Apostollov.
Aksidenti i autobusit ka ndodhur më 13 shkurt të vitit 2019, kur autobusi i “Durmo Tours”, që lëvizte në linjën e rregullt Shkup-Gostivar doli nga autostrada afër fshatit Llaskarcë, ku humbën jetën 16 udhëtarë dhe 37 u plagosën. Në këtë proces gjyqësor akuzohen gjashtë persona: pronari i “Durmo Tours”, Durmish Beluli; personi përgjegjës për transport në kompani, Remzi Miftari; shoferi i autobusit, Manoil Trifunovski, si dhe tre punonjës të stacionit të kontrollit teknik. Tre të parët akuzohen për krime të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në trafik, ndërsa të tjerët akuzohen për bashkëpunim në të njëjtën vepër. Familjarët e viktimave disa herë të revoltuar kanë shprehur pakënaqësi për ekspertizat e shumta, që sipas tyre janë të panevojshme dhe kontribuojnë në zvarritjen e procesit.
FLORIJE KAMBERI
