Botë

Lufta izraelito-palestineze, vazhdon bombardimi i Rripit të Gazës, rritet numri i viktimave

12.10.2023 15:06

Vazhdojnë bombardimet në Rripin e Gazës....

Vazhdojnë bombardimet në Rripin e Gazës. Kaloi edhe një natë pa energji elektrike, ujë, ushqim. Deri më tani janë numëruar rreth 2,000 mijë viktima, ndërsa numri pritet të rritet. Autoritetet izraelite janë të vendosura në përpjekjet e tyre për të zhdukur Hamasin, kanë mobilizuar 300 mijë rezervistë që iu përgjigjën menjëherë thirrjes. Pushtimi  tokësor do të udhëhiqet nga Qeveria e Unitetit Kombëtar të Izraelit dhe kabineti ushtarak.
 
“Ne po luftojmë me të gjitha forcat tona, në të gjitha frontet. Ne shkuam në ofensivë, çdo anëtar i Hamasit është një njeri i vdekur. Hamasi do të shkatërrohet dhe eliminohet, ashtu si bota shkatërroi dhe eliminoi ISIS-in.”, - deklaroi kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu. 
 
Sekretari amerikan i shtetit, Blinken, nga Tel Avivi potencoi se ShBA-ja do të ndihmojë gjithmonë Izraelin. Gjermania po shqyrton  vendimin për të furnizuar Izraelin me municion dhe ndihma të tjera ushtarake. Ekziston  shqetësimi për  përhapje të mundshme të konfliktit.
 
“Hezbollahu nuk duhet të ndërhyjë në luftime. Libani është tashmë i destabilizuar nga veprimet katastrofike të Hezbollahut. Kjo do të shkaktonte pasoja edhe në Afrikën e Veriut dhe Jemen.”, - theksoi kancelari i Gjermanisë, Olaf Sholc.
 
Liga Arabe ka bërë thirrje për ndërprerjen e menjëhershme të dhunës mes Izraelit dhe Hamasit, për shkak të mundësisë së përkeqësimit të situatës, pas së cilës i gjithë rajoni do të shndërrohej në një  katastrofë  me pasoja të paparashikueshme.
 
“Përshkallëzimi aktual midis Hamasit dhe izraelitëve është i papresedan  sipas  intensitetit dhe efekteve që prodhon.  Ka mundësi serioze që situata të përkeqësohet dhe të prishet hapësira e konfrontimeve. Këto janë mundësi që shpresoj se nuk do të realizohen,  sepse mund ta zhysin të gjithë rajonin në një situatë të panjohur dhe fatkeqësisht gjërat duket se po shkojnë në atë drejtim.”, - u shpreh sekretari i përgjithshëm i Ligës Arabe, Ahmed Abul Geit.
 
MPJ-ja e Rusisë  shpreson se pas përfundimit të konfliktit, të gjithë do ta marrin seriozisht përgjegjësinë për krijimin e një shteti palestinez.
 
“Sapo të përfundojë ky konflikt dhe ne bëjmë thirrje që të ndodhë menjëherë, shpresojmë që të gjithë ta marrin seriozisht përgjegjësinë e zbatimit të vendimit të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për krijimin e një shteti palestinez, bazuar në ato parime që u miratuan nga organizata.”, - theksoi ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergej Lavrov. 
 
Lidhur me konfliktin izraelito-palestinez, liderët botërorë thonë se është e rëndësishme të ndalet gjakderdhja dhe palët të  ulen  në tryezën e bisedimeve. Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës Ndërkombëtare Botërore, Guteres,  përsëriti shqetësimin se të premten  Këshilli i Sigurimit duhet të mbajë një mbledhje urgjente për luftën. 
 
FLUTURA LATIFI