Revizori shtetëror me një varg kritikash për punën e Klinikës së Onkologjisë. Raporti i këtij institucioni për vitin 2021, i shpalosur në Komisionin Kuvendor për financa flet për mungesë të protokoleve për furnizime dhe aplikime të terapisë biologjike. Revizori shtetëror, Maksim Acevski, tha se janë krijuar mundësi jolojale që vetë mjekët të vendosin se cilin pacient do ta kyçë në terapi biologjike me amin të drejtorit medicinal. Gjithashtu është konstatuar monopol në furnizimin e terapisë biologjike me pëlqimin e Ministrisë së Shëndetësisë, por pa pajtueshmërinë e Fondit të Shëndetësisë. Akcelerator për radioterapi në vlerë prej 1,7 milion euro asnjëherë nuk është vënë në funksion.
“Lista e ilaçeve nuk është përditësuar nga viti 2015-të, me ç’rast paraqitet nevoja për korrigjimin e listave në fjalë. Gjithashtu kemi vënë në pah të dhëna në pjesën e sigurimit dhe dhënies së pandërprerë të terapisë biologjike pacientëve në këtë klinikë. Mund të vëreni se nga viti 2017 deri në vitin 2021 niveli i fondeve të miratuara nga fondi shëndetësor është rritur jashtë mase, megjithatë nuk reflekton nevojat reale të asaj që do të thotë kyçje të të gjithë pacientëve në terapi biologjike.”, - deklaroi revizori shtetëror, Maksim Acevski.
Deputetët përplasen për zbardhjen e skandalit
Grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së duke shqyrtuar zinxhirin e shkeljeve konsideron se hetimi duhet të përfshijë më shumë se shtatë persona dhe hetuesia të bëj punën shpejtë me konkluzione konkrete.
“Klinika e Onkologjisë në kufijtë e saj ka bërë një sistem të organizuar për aktivitete kriminele për shitje të ilaçeve, duke tregtuar jetën e njerëzve dhe është shndërruar jo në institucion shëndetësor, e cila duhet të shpëtojë jetë, por në një kamp me pasoja të parashikueshme për pacientët, të cilët shpresojnë shpëtimin në këtë klinikë.”, - theksoi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Bojan Stojanovski.
Nga LSDM-ja, të cilët janë gjithashtu pro zbardhjes së skandalit, kritikojnë opozitën se po anashkalon kontributin e hetuesisë.
“Nuk mund të thoni se keni njohuri se sot ka krim në klinikën nëse nuk keni prova të fuqishme. Nëse i keni, dorëzoni në Prokurori. Klinika e Onkologjisë duhet të jetë lëndë e institucioneve kompetente. Nuk mund të themi se Prokuroria sot po hesht, pasi që aktualisht ata po hetojnë, hetojnë individë dhe mund të kërkojmë që të përshpejtohet ky hetim.”, - u shpreh deputetja e LSDM-së, Daniella Markovska.
Funksionimi i Klinikës së Onkologjisë është skenuar edhe në vitet 2008, 2012. Sipas revizorit shtetëror, në vitin 2012 situata nuk ka qenë aspak më e pëlqyeshme, duke vënë në dukje mungesën e praktikave ligjore për sigurimin e ilaçeve, si dhe kush të vihet në krye të listës së shfrytëzimit të terapisë biologjike. Klinika e Onkologjisë në muajt janar dhe shkurt do të kontrollohet sërish për t’u parë nëse janë përmbushur masat e dhëna nga revizori shtetëror.
MERAL ISMAILI