Ndryshimet kushtetuese, Mickoski: Jemi gati të shkojmë në zgjedhje

12.10.2023 16:10

Në këtë mënyrë Hristijan Mickoski, iu përgjigj kryeministrit Kovaçevski....

“Të dalim dhe menjëherë të përballemi në zgjedhje.”. Në këtë mënyrë kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, iu përgjigj kryeministrit Kovaçevski, i cili një ditë më parë tha se koalicioni qeverisës bindshëm do të fitojë në zgjedhjet e ardhshme.

Mickoski këtë deklaratë e vlerëson si sens të mirë për humor të kryeministrit, kurse apeloi që kryeministri krahas aftësisë për humor të kishte qenë edhe i guximshëm.

“Po i bëj thirrje edhe një herë të inkurajohet dhe të mos jetë qyqar, të mos fshihet nën fustanet e partnerëve të koalicionit dhe të dalim në zgjedhje për t’u përballur para qytetarëve. Dhe le të shohim se kush është ai, nëse do të na mundë vërtet apo nëse rezultati do të jetë ndryshe. Mos prisni, ne jemi gati të shpërndajmë nesër Parlamentin dhe të shkojmë menjëherë në zgjedhje.”, - deklaroi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski.

LSDM: Agjenda e VMRO-së është antievropiane

Përderisa opozitarja, VMRO-DPMNE, bën thirrje për zgjedhje, nga LSDM apelojnë që VMRO-ja të kthehet në agjendën evropiane. Nga partia në pushtet thonë se agjenda e VMRO-DPMNE-së është antievropiane dhe në këtë mënyrë dëmton rëndë interesat e Maqedonisë së Veriut.

“Beteja jonë bashkëkohore është të mos lejojmë që agjendat personale, partiake apo qëllimet e huaja të pengojnë rrugën tonë evropiane. Sot, patriotizëm nënkupton zgjerimi i shtëpisë maqedonase në shtëpinë evropiane, në mënyrë që askush të mos detyrohet kurrë të marrë pasaporta të vendeve të tjera ose të kërkojë jetesën e tij jashtë. Agjenda antievropiane e DPMNE-së është e kundërta e asaj që do të thotë patriotizëm sot.”, - theksojnë nga LSDM-ja.

Osmani: Jam optimist se do të miratohen me sukses

Përderisa akuzat mes partive politike po vazhdojnë, po afrohet afati për nevojën e miratimit të ndryshimeve kushtetuese. Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, është optimist se ndryshimet kushtetuese, të cilat janë kusht për vazhdimin e bisedimeve qasës e BE-së, do të miratohen me sukses.

“Detyra ime është të jem optimist dhe të punoj për ta realizuar atë. Sipas njohurive të mia, procesi do të përfundojë me sukses, shpresoj me kohë.”, - u shpreh ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani.

Përndryshe, afati fillestar për ndryshimet kushtetuese ishte nëntori, kur duhet të përfundojë procesi i shqyrtimit dhe të mbahet konferenca e dytë ndërqeveritare, e cila do të nisë negociatat për kapitujt.

Për momentin nuk ka konsensus për amendamentet kushtetuese, sepse VMRO-DPMNE-ja opozitare refuzon të mbështesë ndryshimet e Kushtetutës, siç theksojnë ata, nën diktimin bullgar. (Meral Ismaili, TVM2)