Maqedoni

Sezoni i ngrohjes në Shkup, qytetarët kërkojnë qasje në gazsjellës

12.10.2023 17:20

Viti 2020 ishte parashikimi i parë i Qeverisë se gazi do të arrijë tek konsumatorët e parë nëpërmjet sistemit shtetëror të gazsjellësit...

Viti 2020 ishte parashikimi i parë i Qeverisë se gazi do të arrijë tek konsumatorët e parë nëpërmjet sistemit shtetëror të gazsjellësit, por edhe tani pas tre viteve qytetarët nuk panë asgjë nga gazifikimi i premtuar. Shkupi, edhe pse ka qasje në gazsjellës, assesi të fillojë kyçja e amvisërive. Qytetarët e anketuar nga TVM2 thonë se institucionet vazhdimisht deklarojnë se tubat e gazit janë instaluar, por në to nuk kalon gaz dhe kjo sipas tyre më së shumti dëmton buxhetin e tyre pasi janë të detyruar të ngrohen ose me dru ose me pajisje elektrike. Ata thonë se nëse shteti i fut në funksion tubat e gazit, ata do të lidheshin në rrjetin e gazsjellësit. 
 
“Po do të ishim kyç. Më mirë është të lidhesh në rrjetin e gazsjellësit, njëjtë si në të gjitha shtetet tjera.”, - tha një qytetar.
 
“Ngrohemi me energji elektrike, faturat e energjisë dihet si janë, aspak të lira. Çdo variant që është më i lirë për neve si student është i pranueshëm, por prap nuk e di se sa përfitim financiar do të kishim.”, - tha një qytetare. 
 
“Më lehtë do ta kemi nëse kyçemi në rrjet. Është shumë më ekonomike për ne. Edhe shteti ndihmon përmes subvencionimit.”, - theksoi një qytetare tjetër. 
 
Ende nuk dihet se kur amvisërive do t’u jepet mundësia që të lidhen në sistemin për ngrohje me gaz, sepse institucionet disa herë rresht i kanë shkelur afatet, të cilat vetë i kanë paraparë. 
 
SANIJE DURAKU