Silvinjo pas ndeshjes me Çekinë: Hap shumë i rëndësishëm
Tani që Europiani është më pranë se kurrë...

Tani që Europiani është më pranë se kurrë në këto eliminatore, përsëri trajneri i kombëtares së Shqipërisë, braziliani kërkon të ruajë qetësinë, të qëndrojë me këmbë në tokë, duke theksuar se asgjë nuk ka mbaruar, pavarësisht se është fituar një ndeshje e rëndësishme.
“Mendoj se kemi bërë një ndeshje të shkëlqyer. Kemi bërë një hap shumë të rëndësishëm, por asgjë nuk ka mbaruar. Ne po ndërtojmë diçka shumë të rëndësishme. Kemi akoma shumë rrugë për të bërë, por deri tani kemi bërë gjëra të mëdha. Jam i kënaqur me gjithçka. U them gjithmonë lojtarëve, nuk jemi 11, por 23”.
Trajneri Sylvinho, ka falënderuar tifozët për mbështetjen që iu dha dhe sërish bëni thirje për të pasur durim sepse deri në mbyllje të eliminatoreve janë edhe dy ndeshje të tjera.
“Duhet të presim, kemi dhe dy ndeshje të tjera, të shikojmë dhe sa pikë do marrim. Përsa i përket ndeshjes, ishte e fortë dhe shumë fizike. Nëse do ishim 11 kundër 11, atëherë do ishte akoma më e vështirë. Një ndeshje e vuajtur. Sigurisht që dua të falenderoj tifozët për mbështetjen e dhënë”.
Në përballjet e fundit arma kryesore e “kuqezinjve” është goditja nga distanca.
“Kemi lojtarë që godasin nga distanca? Asani, Bajrami, Seferi, Uzuni janë lojtarë që marrin qendrën dhe godasin. Por kemi dhe shumë lojtarë të tjerë që godasin nga distanca, siç është Laçi apo ndonjë tjetër.”, ka thënë trajneri I kombëtares shqiptare.
