Botë
Kurti: Ndërmjetësit të kenë parasysh agresionin serb
13.10.2023 14:14
Dialogu me Serbinë nuk mund të vazhdojë sikurse nuk ka ndodhur asgjë, pas agresionit serb më 24 shtator...

Dialogu me Serbinë nuk mund të vazhdojë sikurse nuk ka ndodhur asgjë, pas agresionit serb më 24 shtator, deklaroi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit me dy senatorët amerikanë, Jeanne Shaheen dhe Peter Welch. Ai kërkoi që në përpjekjet e ndërmjetësve për normalizim të merren parasysh përpjekjen e Serbisë për aneksimin e Kosovës, si dhe një qasje e balancuar në procesin e dialogut.
“Dialogu i lehtësuar nga BE-ja, nuk mund të vazhdojë thuaja se nuk ka ndodhur asgjë. Nuk mund të vazhdojmë punën dhe këtë status-quo edhe më tutje. Kapitulli i dialogut për normalizim duhet të marrë parasysh veprimet sulmuese dhe agresive të Serbisë dhe përpjekjet e saj për aneksimin e Kosovës. Prandaj duhet të ndërmerren një varg hapash që dialogu të ketë edhe një shans për të pasur sukses. Besoj se është tepër e rëndësishme që të kemi një qasje të balancuar, përfshirë që të dënohet çdo shkelje e marrëveshjes bazë të arritur në Bruksel dhe aneksit të Ohrit. Është më urgjente se kurdo që më parë të ndalet dhe ndërprenë fjalët se nuk do të njohë kurrë Kosovën. Po ashtu, edhe refuzimin e pjesëve bazë të marrëveshjes që kanë të bëjnë me njohjen e Kosovës dhe njohjen e sovranitetit dhe integritetit territorial.”, - deklaroi kryeministri i RKS-së, Albin Kurti.
Osmani: Serbia, satelit i Rusisë, synon të destabilizojë rajonin
Dy senatorët amerikan takuan edhe presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila pas takimit tha se Serbia jo vetëm që nuk distancohet nga agresioni ndaj Kosovës, por edhe nuk po i arreston anëtarët e grupit terrorist paramilitarë dhe po u ofron mbështetje. Osmani kërkoi që Serbia të mbahet përgjegjëse për atin e agresionit dhe t’i dorëzojë terroristët në Republikën e Kosovës për t’u përballur me drejtësinë.
“Natyrisht që synimet e tilla dashakeqe të Serbisë nuk mjaftohen vetëm me Kosovën, por janë paralajmërim i qartë i asaj se Serbia, duke shërbyer si satelit i Rusisë, ka për qëllim të destabilizojë tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor.”, - theksoi presidentja e RKS-së, Vjosa Osmani.
Shaheen: ShBA-ja qëndron krah Kosovës
Senatorja amerikane, Jeanne Shaheen, tha se ShBA-ja qëndron krah Kosovës, ndërsa përgjegjësit e sulmit terrorist të 24 shtatorit, duhet të japin llogari dhe të mbahen përgjegjës.
“Mendojmë se është shumë e rëndësishme që përgjegjësit të japin llogari. Të japin llogari sipas ligjit dhe që Serbia të bashkëpunojë në hetimet që po vazhdojnë. Gjithashtu, mendojmë se është kohë e duhur që të theksojmë se stabiliteti afatgjatë i Kosovës dhe rajonit nënkupton një lloj marrëveshjeje me Serbinë për të adresuar në mënyrë paqësore dallimet mes vendeve tuaja. Është koha kur BE-ja dhe ShBA-ja janë të përqendruara në këtë rajon dhe rëndësinë për të adresuar shqetësimet që ekzistojnë. Shpresojmë që të shihni këtë si mundësi për të shfrytëzuar këtë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës qëndrojnë krah jush. Më erdhi mirë që e pash rritjen e ushtarëve të KFOR-it, pasi është e rëndësishme për ruajtjen e kufirit dhe stabilitetit në vend.”, - u shpreh senatorja e ShBA-së, Jeanne Shaheen.
Më 21 tetor, përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara, Gjermanisë, Italisë, Francës pritet të shoqërojnë përfaqësuesin e Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, në takimet në Kosovë dhe Serbi. Qëllimi i vizitës në Kosovë dhe Serbi i përfaqësuesve të pesë shteteve kryesore, sipas diplomatëve në Bruksel, është përpjekja që “të shpëtohet procesi i dialogut” dhe Marrëveshja drejt normalizimit, e arritur më herët gjatë këtij viti.
GYLTENE SINANI
