Maqedoni

Pendarovski dhe Mickoski, akuza të ndërsjella për rejtingun e tyre

13.10.2023 14:42

Kanë vazhduar përplasjet në mes presidentit të vendit, Stevo Pendarovski, dhe liderit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski...

Kanë vazhduar përplasjet në mes presidentit të vendit, Stevo Pendarovski, dhe liderit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski. Ky i fundit kishte pohuar se nëse do të kishte zgjedhje për këshillin e shtëpisë, Pendarovski do të merrte vetëm dy vota. Por, nga zyra e Presidentit kanë pohuar se treguesi më i mirë se sa vlejnë figurat politike në vend, është anketa e fundit e IRI-it, ndërsa Hristian Mickoski është politikani i fundit në Maqedoni që duhet të flasë për rejtingun e tij personal, sepse edhe pas pesë vitesh që është në postin e numrit një të VMRO-DPMNE-së, ai ka dyfish rejting më të ulët se ish-presidenti i tyre, Nikolla Gruevski.
 
“Hristian Mickoski është politikani i fundit në Maqedoni që duhet të flasë për rejtingun e tij personal, gjegjësisht edhe pas pesë vitesh si kryetar i VMRO-DPMNE-së ka dyfish më të ulët se ish-presidenti i tyre, Nikolla Gruevski. Në historinë politike maqedonase, kryetarët e partive më të mëdha politike gjithmonë kishin dy herë më shumë vlerësim personal se partitë që ata drejtonin. Kështu ishte edhe me Branko Cërvenkovskin dhe Zoran Zaevin në LSDM dhe me Ljubço Georgievskin dhe Nikolla Gruevskin në VMRO-DPMNE. Mickoski është i vetmi përjashtim, sepse ai ka një vlerësim 50% më të ulët se partia që drejton.”, thuhet në komunikatën e Zyrës së Presidentit. 
 
Por i menjëhershëm ka qenë reagimi nga ana e VMRO-DPMNE-së, të cilët kanë pohuar se rejtingu i Pendarovskit është një gabim statistikor.
 
“Rejtingu i Pendarovskit është një gabim statistikor, një fenomen i zbehtë, me qëndrime edhe më të zbehta. Në vend që Mickoski të zhgënjehet nga deklaratat e presidentit Stevo Pendarovski, duhet të pyesë veten se ku është rrënja e vlerësimit dhe mosnjohjes së tij personale. Nëse bën përpjekje, me siguri do ta gjejë në qëndrimin e tij të nënshtruar ndaj Kovaçevskit dhe Ahmetit, të cilët shpesh herë nuk e kanë lejuar të prononcohet për qëndrimet e tija dhe ka qenë i detyruar t’i ndryshojë qëndrimet sipas diktatit të Zajasit apo Ilindenskës.”, thuhet në komunikatën e VMRO-DPMNE-së. 
 
VMRO-DPMNE-ja ka kohë që është shprehur se nuk do ta mbështesë Stevo Pendarovskin për President të vendit dhe se kjo parti do të dalë me kandidatin e tyre. 
 
FITIM KRYEZIU