Botë
Izraeli: Palestinezët të zhvendosen nga veriu i Gazës
13.10.2023 15:01
Izraeli paralajmëroi palestinezët që të evakuohen në jug të Gazës brenda 24 orëve...

Izraeli paralajmëroi palestinezët që të evakuohen në jug të Gazës brenda 24 orëve. Kombet e Bashkuara besojnë se është e pamundur të bëhet kjo pa pasoja katastrofike humanitare. Konflikti izraelito-palestinez ka hyrë në ditën e shtatë. Gjatë natës janë kryer mbi 750 sulme ndaj objektivave në Gaza. Numri i të vdekurve dhe të plagosurve po rritet.
“Forcat e Mbrojtjes së Izraelit bëjnë thirrje për evakuimin e të gjithë civilëve nga qyteti i Gazës, nga shtëpitë e tyre në jug për sigurinë dhe mbrojtjen e tyre. Në ditët në vijim, mbrojtja do të vazhdojë të operojë me forcë të konsiderueshme në qytetin e Gazës dhe do të bëjë përpjekje të mëdha për të shmangur dëmtimin e civilëve. Në rrjedhë e sipër janë operacione të rëndësishme luftarake që janë duke u zhvilluar.”, - deklaroi nënkoloneli, Xhonatan Konkirnus.
Hamasi thotë se nuk do të ketë bisedime për lirimin e pengjeve derisa të ndalojnë sulmet. Nëse bombardimet izraelite të Gazës vazhdojnë, lufta mund të hapet në fronte të tjera, thekson Ministria e Jashtme iraniane.
“Disa zyrtarë perëndimorë më kanë pyetur nëse është e mundur të hapen fronte të reja, kundër regjimit të rremë të Izraelit. Republika Islamike e Iranit do të vazhdojë fuqishëm mbështetjen e saj politike, ndërkombëtare dhe mediatike për rezistencën palestineze.”, - theksoi ministri i Jashtëm i Iranit, Hosein Amirabdolakian.
Pas vizitës urgjente të sekretarit të Shtetit Blinken, në Tel Aviv ka mbërritur edhe ministri i Mbrojtjes i ShBA-së, Lloyd Austin. Më herët, OBSh-ja kërkoi korridore transporti për ndihmë në Gaza që Egjipti të vazhdojë të transferojë furnizime thelbësore në enklavë përmes kalimit Rafah.
“U takova me presidentin Al-Sisi në Egjipt dhe e pyeta nëse mund të ndihmonte në transferimin e furnizimeve mjekësore në Gaza, me të cilën ai ra dakord. Njëra është për të mbrojtur civilët dhe e dyta është për t'u ofruar atyre mbështetjen që u nevojitet, qoftë ushqim, shërbime mjekësore, furnizime dhe gjëra të tjera që u nevojiten.”, - u shpreh drejtori i përgjithshëm i OBSh-së, Adhanom Ghebrejesus.
Ushtarët e forcës paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara, të njohur si UNIFIL, patrullojnë vijën kufitare midis kufirit libanez-izraelit. Ekziston shqetësimi se Hezbollahu mund të përfshihet në një konflikt me Izraelin. Kryeministri i përkohshëm i Libanit u bëri thirrje forcave politike të vendit të tij të tregojnë përmbajtje. Ushtria izraelite në fillim të kësaj jave bombardoi zonat në Libanin jugor nga ku Hezbollahu gjuajti raketa në mbështetje të Hamasit.
FLUTURA LATIFI
