Skandali i Onkologjisë analizohet në Kuvend, Joveski: Prokuroria po shqyrton prova voluminoze

13.10.2023 15:19

Prokuroria Publike ka koncentruar të gjitha forcat....

Prokuroria Publike ka koncentruar të gjitha forcat në zbardhjen e rastit të Onkologjisë. Kryeprokurori publik, Lubomir Joveski, para deputetëve tha se në duar kanë prova voluminoze, dosje medicinale  të cilat po i shqyrton e gjithë qendra hetuese e Prokurorisë Publike Themelore në Shkup të kryesuar nga dy prokurorë. Joveski thotë se prokuroria do të jetë transparente deri në fund.

“Janë siguruar dëshmitë që ato mos të asgjësohen dhe në këtë moment mund të them se është siguruar dokumentacion voluminoz, gjithashtu edhe të dhëna kompjuterike sa i takon gjendjes shëndetësore të pacientëve disa vite më parë që janë trajtuar në këtë klinikë. I gjithë ky dokumentacion po kontrollohet. Të gjitha forcat e prokurorisë janë koncentruar për përshpejtimin e këtyre procedurave.”, - theksoi kryeprokurori publik, Lubomir Joveski.

Joveski thotë se janë dëgjuar edhe rrëfimet e pacientëve të cilët janë mjekuar në klinikë.

Deputetët “përplasen” për zbardhjen e skandalit

Deputetët e VMRO – DPMNE-së kërkojnë nga pushteti të mos relativizohet skandali, I cili bart pas vetes krim, joprofesionalizëm dhe shkelje të ligjit.

“Këtu nuk bëhet fjalë për ngjarje e as për fatkeqësi, këtu bëhet fjalë për krim, për vrasje edhe atë me qëllim. Pushteti aktual ta pranojë përgjegjësinë për këtë krim dhe mos ta relativizojë dhe fajësojë opozitën.”, - u shpreh deputetja e VMRO – DPMNE-së, Dafina Stojanovska.

Deputetët e LSDM-së kërkuan nga kolegët e tyre të opozitës të mos krijojnë atmosferë se pushteti dëshiron të fsheh skandalin.

 “Personalisht, por edhe në emër të pushtetit këmbëngulim që kjo të hetohet deri në fund pasi që askush nuk fsheh apo mbron dikë. Ne as që jemi fajtor e as bashkëveprues dhe mos të krijohet atmosferë se dikush dëshiron të fshehë skandalin e të tjerë duan rezultate konkrete.”, - theksoi deputeti i LSDM-së, Dime Vellkovski.

Puna e Onkologjisë është vënë nën lupën e Prokurorisë Publike disa herë, sikurse në vitin 2017-të, por padia anonime është hedhur poshtë pas konstatimit se nuk ka vepër penale. Lëndë adekuate janë hapur edhe gjatë 2016-ës, si dhe më herët gjatë vitit 2012.

Gjatë kësaj periudhe akuza iu është drejtua drejtorit të klinikës për keqpërdorim të detyrës zyrtare e që ka rezultuar me heqje dorë nga përndjekja dhe ndërprerje të gjykimit. (Meral Ismaili, TVM2)