Maqedoni

10 vjeçari u godit në rrugën e plastikave, ndërroi jetë në urgjencë

13.10.2023 15:39

Shpejtësia e madhe e drejtimit të automjeteve mbrëmë mori edhe jetën e një fëmije 10 vjeçar në rrugën e plastikave në Shkup...

Shpejtësia e madhe e drejtimit të automjeteve mbrëmë mori edhe jetën e një fëmije 10 vjeçar në rrugën e plastikave në Shkup. Drejtuesi i automjetit “Mercedes” nuk ka ndaluar fare për t’i dhënë ndihmë viktimës, ndërsa kalimtarët e rastit e transportuan në urgjencë, ku është konstatuar vdekja e tij. 
 
Qytetarët thonë që nuk është hera e parë që ndodhin në këtë rrugë aksidente, apelojnë Qytetin e Shkupit që urgjentisht të marrë masa për të parandaluar aksidentet fatale.
 
“Mbrëmë kishte aksident ku fatkeqësisht përfundoi me vdekje një djalë i ri vetëm 10 vjeçar. Këtu vozitet më shpejtësi të madhe, nuk është aksidenti i parë që ndodh këtu, 30 vite askush nuk ka marrë masa të ndërmerret diçka që mos të vijë deri te rastet tragjike. Apeloj institucionet kompetente, Qytetin e Shkupit të marrë masa që mos të ndodhin më aksidente, se në këtë bulevard nuk duhet të vozitet më  shumë se 50 km në orë.”, - u shpreh një qytetar.
 
Nga MPB-ja thonë se pas masave të ndërmarra, është kapur shoferi 21-vjeçar nga Shkupi, i cili paraprakisht pas aksidentit, kishte ikur nga vendi i ngjarjes.
 
“Më datë 12.10.2023 në ora 16:47 në SPB-Shkup është raportuar se automjeti i pasagjerëve “Mercedes” ka goditur një të mitur në Bulevardin “Nikolla Karev” në Shkup, pas çka është larguar nga vendi i ngjarjes. I mituri është transportuar në Qendrën Emergjente në Kompleksin Klinikë “Nënë Tereza”, ku është konstatuar vdekja e tij. Pas një kohe të shkurtër, pas ndërmarrjes së masave dhe veprimeve, zyrtarët policorë kanë gjetur veturën dhe shoferin Z.Sh.(21) nga Shkupi, i cili është arrestuar.”, thonë nga MPB-ja.
 
Statistikat  e MPB-së tregojnë se vetëm nga janari i këtij viti e deri në muajin maj, nga aksidentet në komunikacion e kanë humbur 44 persona. Vitin e kaluar ka pasur 7,806 aksidente dhe 124 viktima.
 
VLORA LATIFI TOPOJANI