Ekonomi

Rritja e TVSh-së nga 5% në 10%, Shitësit: Nuk janë shtrenjtuar produktet bazë

13.10.2023 16:39

Pas rritjes së TVSh-së për disa produkte nga 5% në 10%, kjo u reflektua edhe te rritja e çmimeve në markete....

Pas rritjes së TVSh-së për disa produkte nga 5% në 10%, kjo u reflektua edhe te rritja e çmimeve në markete, por rritja e çmimeve nuk prekë çmimet e produkteve bazë. 
 
Marketet thonë se po e respektojnë vendimin për çmimet e garantuara të produkteve bazë.
 
“Kohës së fundit me të vërtetë janë rritur çmimet. Nuk e di çfarë mendojnë dhe se si mendojnë, sepse parapanë çmime të garantuara, sikur ulje të çmimeve, tani prapë njësoj rritje.”, - u shpreh një shitës në market.
 
“Prej kur e kanë nxjerrë Qeveria se duhet të ngrihen çmimet, ato janë ngritur pak. Kemi pasur ngritje. Te të gjitha nga pak, 10 denarë apo 5 denarë. Te bademet, argeta, ka pasur rritje etj.”, - tha një shitës në market.
 
Qytetarët: Disa produkte dhe ilaçe janë shtrenjtuar
 
Qytetarët kanë qëndrime të ndara sa u përket çmimeve të produkteve në markete.
 
“Ka rritje të çmimit tek të gjitha produktet. Ishin duke i vendosur çmimet e produkteve, prandaj na nxorën nga marketi. Marketi u mbyll, u hap më pas, na lanë të hyjmë, pastaj prapë e mbyllën, sepse rregullonin çmimet e reja me ngritje.”, - tha një qytetare.
 
“Diku punojnë në krye në vete, nuk i ulin çmimet aspak. Nëpër dyqane të vogla ku janë më të fshehta, çmimet janë të larta sikur para 2 muajve, 3 muajve, 4 muajve.”, - u shpreh një qytetar. 
 
“Po hasim në rritje. Çmimet po rriten. 80% e produkteve janë me të njëjtat çmime. Thonë do t’i zbresin, por jo nuk po zbresin.”, - tha një qytetar. 
 
“Te të gjitha ka rritje të çmimit. Te mielli, te të gjitha vërehet ngritje.”, - theksoi një qytetare tjetër.
 
Qytetarët thonë se rritje çmimesh vërehet edhe në barnatore, sidomos të antidepresivëve dhe vitaminave.
 
“Janë rritur çmimet e vitaminave dhe ilaçeve antidepresive.”, - u shpreh një qytetare.
 
“Po edhe çmimet në barnatore janë rritur. Unë blej vet edhe gati të gjitha barnat kanë rritje të çmimeve.”, - u shpreh një qytetar.
 
“Po ka edhe te ilaçet rritje të çmimeve. Analgina, p.sh. ishte 60 denarë, tani është bërë 70 denarë më duket.”, - theksoi një qytetare.
 
Çmimet e garantuara po respektohen nga marketet, ndërsa ato kanë ndikuar në uljen e çmimeve prej 10 deri në 30% të produkteve bazë, kanë vlerësuar nga Qeveria. Nga ekzekutivi kanë thënë se vendi po zhvillon politikë të ulët tatimore, ndërsa me çmimet e garantuara kemi ulje të çmimeve të produkteve bazë. 
 
FITORE DEMOLLI