KShPK, drejtori i IShNU, Arifi, me pronë të padeklaruar
Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit.....

Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, pas kontrollit të gjendjes pronësore ka konstatuar se drejtori i Inspektoratit Shtetëror për Ndërtimtari dhe Urbanizëm, Fatmir Arifi, posedon dy banesa dhe një veturë në vlerë prej 18 mijë euro, pasuri këto të padeklaruara në listën anketuese të KShPK-së.
Ndaj Arifit, KShPK-ja ka dorëzuar iniciativë për ndjekje penale në prokurorinë themelore publike, si dhe iniciativë në Qeveri për përgjegjësi dhe shkarkimin e tij. Kryetarja e Komisionit shtetëror për parandalimin e korrupsionit, Biljana Ivanovska, njoftoi se më 10 gusht të këtij viti, drejtori Arifi është thirrur në Komisionin për diskutim lidhur me dallimet e konstatuara në listën anketuese, por nuk ka arritur ta arsyetojë pasurinë e padeklaruar.
“KShPK-ja konstaton se zyrtari i emëruar nuk përfiton të ardhura të tjera, përveç të ardhurave të rregullta, ndërsa për banesën në Çair dhe atë në Zhelezarë nuk është vërtetuar se është përfituar nga të ardhura të rregullta të raportuara dhe për të cilat është paguar tatim. Në pajtim me nenin 359A të Kodit Penal do të paraqesim iniciativë në Prokurorinë Publike për ndjekje penale të Arifit. Po ashtu edhe organit që e ka emëruar, gjegjësisht Qeverisë do t'i paraqesim iniciativë për përgjegjësi dhe shkarkimin e tij, sepse nuk mundet që drejtori i Inspektoratit Shtetëror të Ndërtimit të fitojë pronë, duke ndërtuar objekte pa leje, nuk është e drejtë.”, - theksoi kryetarja e KShPK-së, Biljana Ivanovska.
Këto konstatime KShPK-ja i ka bazuar në të dhënat e fituara nga Agjencia për Kadastrën e Pasurive të Patundshme, Drejtoria e të Ardhurave Publike, Ministria e Punëve të Brendshme, Regjistri Qendror, si dhe të dhënat bankare për Arifin dhe anëtarët e familjes së tij të ngushtë. (Florije Kamberi, TVM2)
