Propozim-ligji për parandalimin e tregtisë jokorrekte, Kovaçevski: Ndalim rritjen joreale të çmimeve

13.10.2023 17:15

Kryeministri Dimitar Kovaçevski është i mendimit...

Kryeministri Dimitar Kovaçevski është i mendimit se vetëm përmes miratimit të ligjit për parandalimin e tregtisë jokorrekte do të mund të ndalohet njëherë e përgjithmonë rritja joreale e çmimeve të produkteve ushqimore.

Sipas tij, vetëm përmes këtij ligji mund të vendoset rend dhe të ulen çmimet e shumë produkteve ushqimore në vend.

“Ligji për parandalimin e tregtisë jokorrekte rregullon zinxhirin nga prodhimi deri te shitja e produktit final të dedikuar për tregun vendor. Ai do të përjashtojë mundësinë e përdorimit të praktikave joetike, në mënyrë që disa lojtarë në kanalin e shpërndarjes, qofshin ata shitës me shumicë apo pakicë, të përdorin pozicionin e tyre dominues në treg dhe të arrijnë norma më të larta fitimi kundrejt prodhuesve dhe përballë blerësve.”, - deklaroi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.

Qeveria si propozuese e këtij ligji, synon të përcaktojë pragun e fitimit, respektivisht të mos tejkalohet norma e fitimit prej 10 për qind në shitjen finale, siç është aktualisht kjo praktikë rreth 30 - 40 % për disa produkte të caktuara bujqësore dhe ushqimore.

Bytyqi: Do të mbrojmë standardin e qytetarëve

Zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi, thotë se propozim-ligji mbron standardin jetësor të qytetarëve.

“Përmes normave të autorizuara tatimore prej 5% dhe përmes ligjit për parandalimin e tregtisë jokorrekte dëshirojmë të mbrojmë standardin e qytetarëve ku nga tregu do të largojmë sjelljen joetike  dhe jokorrekte ndaj fuqisë blerëse të qytetarëve. Qeveria mbetet  fuqimisht e përqendruar në qëllimin e saj, që sistematikisht të zhvillojë ekonominë e vendit, ku njëherit nuk do ta harrojë të mbrojë standardin jetësor të qytetarëve.” – theksoi zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi.

Kovaçevski tha se deri më tani në RMV nuk ka pasur një zgjidhje të tillë ligjore, që sipas tij, kjo mënyrë ligjore është praktikë edhe në disa vende anëtare të BE-së.

Këto komente, Kovaçevski dhe Bytyqi i bënë gjatë vizitës së një kompanie në Shkup, ku bashkërisht theksuan rëndësinë për të pasur vendi sa më shumë kompani bashkëkohore dhe cilësore dhe ku ata do të kenë mbështetje institucionale. (Rexhep Qamili, TVM2)