Maqedoni

VMRO-DPMNE: Skandalet dhe shkatërrimi i arsimit s’kanë të ndalur

13.10.2023 17:58

Skandalet dhe shkatërrimi i arsimit assesi të ndalen, akuzojnë sërish nga opozitarja VMRO-DPMNE....

Skandalet dhe shkatërrimi i arsimit assesi të ndalen, akuzojnë sërish nga opozitarja VMRO-DPMNE. Nga kjo parti thonë se edhe pse është tetor, ende nuk ka tekste për të gjitha lëndët, sepse ministri Shaqiri dhe drejtoresha e Shërbimit Pedagogjik, Veleva, autorët e teksteve i ndajnë në partiakë dhe jopartiakë. Ata publikisht pyesin Shaqirin dhe Velevën se a i shqetëson fakti i shkeljes së afateve ligjore për furnizimin e të gjithë nxënësve me libra. 
 
“A nuk i shqetëson mosrespektimi i ligjit dhe efikasiteti i të gjitha proceseve dhe veprimeve për pajisjen në kohë dhe objektive të teksteve shkollore për të gjitha lëndët, klasat, vitet dhe për të gjithë nxënësit? A i ndan drejtoresha e Shërbimit Pedagogjik autorët e dorëshkrimeve të teksteve në partiake  “të kualifikuar” dhe partiake “të papërshtatshëm”, p.sh. një anëtar partiak i LSDM-së është autori i përzgjedhur i teksteve për klasën e parë, të dytë dhe të katërt?”, - deklaroi nënkryetarja e Komisionit për Arsim të VMRO-DPMNE-së, Vesna Janevska.
 
Kovaçevski: MASh-i dhe Qeveria s’kanë faj për mungesën e librave
 
Për kryeministrin Dimitar Kovaçevski ka përfunduar procesi për nxjerrjen dhe shtypjen e teksteve shkollore për nxënësit. Sipas tij, ministri nuk ka asnjë përgjegjësi, sepse  nuk i shkruan dhe miraton librat, por bëhet nga një Komision i Pavarur Shtetëror.
 
“Këtu nuk ka asnjë ngecje. E din pse? Sepse ministri dhe cili do ministër nuk është përgjegjës për shkrimin e librave.  Librat shkruhen nga ana e autorëve, recensohen dhe më pas miratohet nga një komision shtetërorë për libra, që është i pavarur në pjesën shkrimit të librave, pasi që ne nuk mund të kemi ndikim politik në shkrimin e një libri. Kështu që Ministria e Arsimit e ka mbaruar atë që është dashur.”, - u shpreh kryeministri, Dimitar Kovaçevski. 
 
Ndryshe, sipas informacioneve të fundit nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, në fazën e shkrimit dhe dorëzimit janë tekstet për gjuhën shqipe dhe të shkencave natyrore në gjuhën maqedonase. 
 
SANIJE DURAKU