PE mbështet perspektivën evropiane të Kosovës

12.03.2015 12:41

Ministri i Integrimit, Bekim Çollaku, pas miratimit të rezolutës së Parlamentit Evropian mbi Kosovën ka dhënë një deklaratë për media...

Ai tha se rezoluta i jep një mbështetje të fuqishme perspektivës evropiane të vendit, duke bërë thirrje për nënshkrimin e shpejtë të Marrëveshjes për Stabilizim Asocim, që do të përforcojë dialogun politik në mes BE-së dhe Kosovës, do të integrojë tregtinë dhe do të sigurojë forma të reja të bashkëpunimit.

Ai tha se edhe kjo rezolutë dëshmon se Parlamenti Evropian mbetet një nga institucionet më mbështetëse të Republikës së Kosovës dhe procesit të integrimit evropian të vendit. “E mirëpres faktin që edhe përmes kësaj rezolute i bëhet edhe një thirrje pesë shteteve anëtare të BE-së të mbetura ta njohin pavarësinë e Republikës së Kosovës. Rezoluta i jep një mbështetje të fuqishme perspektivës evropiane të vendit, duke bërë thirrje për nënshkrimin e shpejtë të Marrëveshjes për Stabilizim Asocim, që do të përforcojë dialogun politik në mes BE-së dhe Kosovës, do të integrojë tregtinë dhe do të sigurojë forma të reja të bashkëpunimit. Parlamenti Evropian ka kërkuar që këshilli të merr një vendim për nënshkrimin e MSA-së sa më shpejt dhe gjithsesi në pjesën e parë të këtij viti. Konfirmohet edhe progresi i Kosovës në përmbushjen e kërkesave të udhërrëfyesit për liberalizim të vizave dhe bën thirrje që të bëhet gjithçka e mundshme që të përshpejtohet ky proces, gjë për të cilën institucionet e vendit janë të përkushtuara maksimalisht”- thuhet në deklaratë.

Ai më tej shprehet se është shumë i mirëpritur fakti që Parlamenti Evropian kërkon në mënyrë afirmative përforcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, përmes përfshirjes në organizata evropiane dhe ndërkombëtare, sigurimit të kodit ndërkombëtar telefonik dhe krijimit të kushteve për pjesëmarrjen e sportistëve dhe artistëve në gara ndërkombëtare si qytetarë të Republikës së Kosovës.