Zhvillimi i biznesit, Komuna e Çairit e hapur për bashkëpunim

12.03.2015 14:47

Procedura të lehtësuara administrative, shpenzime të ulëta për ndërtimin e objekteve afariste, si dhe kuadër profesional për nevojat e kompanive...

Këto përparësi që ofron Komuna e Çairit për zhvillim e bizneseve u prezantuan përpara afaristëve. Tendenca është që biznesmenët me kushtet e ofruara të rishikojnë mundësitë për hapjen e bizneseve të reja ku do të punësoheshin të rinjtë e Çairit. Kryetari i Komunës, Izet Mexhiti, u shpreh i hapur për bashkëpunim.

“Ne si administratë jemi përkushtuar që të vazhdojmë me përkrahjen në disa fusha, sipas neve, më kyçe: mbajtja e nivelit minimal të të dhënave për bizneset të cilat varen nga komuna, standardizimi i procedurave administrative të cilat do të mundësojnë qasje të thjeshtë dhe të shpejtë deri tek të gjitha informacionet, dokumentet, lejet dhe shërbimet e tjera të domosdoshme për fillimin dhe menaxhimin e biznesit, zhvillimi i mëtejshëm i domosdoshëm i infrastrukturës lokale  e cila do t’u mundëson bizneseve realizimin e planeve të tyre zhvillimore përmes kursimit efektiv të energjisë, kohës dhe mjeteve të cilat do t’i kahëzonin drejt hapjes së vendeve të reja të punës”- deklaroi kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti.

Afaristët kërkojnë eliminimin e disa taksave që janë të papërballueshme për ta.

“Është mirë që të eliminohen disa taksa që me të vërtetë janë të papërballueshme për afaristët. Është tatimi në fitim, s’kemi paguar tanimë tre vite dhe tash tatimi në fitim na është shtuar, d.m.th. është taksë që është e papërballueshme për afaristët”- tha afaristi, Sefedin Mustafa.

Ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri, tha se do të marrin parasysh idetë e biznesmenëve që të përmirësohet klima e biznesit dhe të ulet numri i të papunëve. Sipas Nezirit, Maqedonia përballet me një shkallë të papunësisë prej 30%.

“Ministria e Ekonomisë, kuptohet edhe qeveria, në bashkëpunimin me të gjitha komunat, e në veçanti me Komunën e Çairit, ngelemi të hapur për çdo bashkëpunim, për çdo inicim nga biznes-sektori për ide të ndryshme që papunësia në vend, po edhe në Komunën e Çairit, të jetë në përqindje sa më të vogël”- theksoi ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri.

Synimi i Ministrisë së Ekonomisë është që papunësia të ulet në 20%. Tanimë ky dikaster ka miratuar edhe planin operativ për 2015-ën të bazuar nga kërkesat e punëdhënësve. Me këtë plan pritet të bëhet punësimi i mbi 8 mijë personave. (Meral Ismaili, TVM2)