Australia heton vdekjen e të riut që iu bashkua ISIS-it
Qeveria australiane ka thënë se po heton raportet e një sulmi vetëvrasës në Lindjen e Mesme, ku u vra një adoleshent nga Melburni i cili u bashkua me “Shtetin Islamik”...

Imazhet e vendosura në internet, sipas mediave australiane, përfshijnë edhe një foto të personit që i ngjan Jake Bilardos.
Ministrja e Jashtme, Julie Bishop, u ka thënë gazetarëve se e dinte për aktivitetet e djaloshit që disa muaj dhe se qeveria ka kuptuar se ai udhëtoi për në Lindjen e Mesme në gusht.
“Nëse këto raporte konfirmohen, ky është një tjetër shembull tragjik i të rinjve australianë të cilët joshen për vdekje të pakuptimtë dhe të dhunshme nga një organizatë terroriste, e cila po shkakton vuajtje dhe mjerim jo vetëm Irakut dhe Sirisë"- deklaroi ministrja e Jashtme e Australisë, Julie Bishop.
"Është shumë e rëndësishme që ne të bëjmë gjithçka që mundemi në përpjekje për të mbrojtur të rinjtë tanë kundër ndikimit të kësaj ideologjie tronditëse dhe ekstreme"- tha kryeministri i Australisë, Tony Abbott.
Kryeministri, Tony Abbott, i ka forcuar kohët e fundit ligjet anti-terror, që i japin autoriteteve të drejtë të ndalojnë qytetarët të udhëtojnë në vende të tilla si Siria dhe Iraku. Është e njohur se rreth 90 australianë janë duke luftuar në anën e ISIS-it në Siri dhe Irak, dhe rreth 400 të tjerë dyshohen për mbështetje të kësaj organizate nga ky vend. (Leunora Kaliqi, TVM2)
