Futboll

Laçi e Muçi duam pozitën e parë në grup

15.10.2023 17:51

Shqipëria ka forcuar vendin e parë në grup për kualifikimet e “Euro 2024”...

Shqipëria ka forcuar vendin e parë në grup për kualifikimet e “Euro 2024”, ndërsa synon që këtë cikël eliminator ta mbyllë si e para në Grupin E. Kështu kanë insistuar futbollistët Qazim Laçi e Ernest Muçi, në konferencën e mbajtur të dielën.
 
Për Qazim Laçin nuk ka rëndësi se kush luan pasi të gjithë të grumbulluarit nga Silvinjo po ndihmojnë Shqipërinë që të përmbushë objektivin e saj, sigurimin e vendit të parë në Grupin E.
 
“Objektivi ishte kualifikimi në Europian. Tani si objektiv të dytë kemi vendin e parë dhe për atë do luftojmë. Besoj se trajneri Silvinjo i njeh të gjitha vlerat e lojtarëve. Jemi të gjithë të rëndësishëm për ekipin. Edhe ndeshje miqësore, edhe ndeshje kualifikuese trajneri ka besim te të gjithë lojtarët. Dhe për ne që nuk kemi shumë minuta me ekipin Kombëtar është një mundësi e mire”, tha Laçi në konferencën e sotme për shtyp.
 
Në fjalën e tij mesfushori i Spartës të Pragës u ndal pak edhe tek shokët e ekipit, të cilët i kishte si kundërshtarë në ndeshjen e fundit.
 
“Nuk ishin shumë të kënaqur. Dhe mua më vjen keq dhe shpresoj që ata të kualifikohen në fund”, pohoi 27-vjeçari.
 
Mes të tjerash ai tregoi përse nuk është surprizuar shumë nga kjo paraqitjet fantastike e Shqipërisë në këto kualifikuese.
 
“Besoj se niveli i ekipit Kombëtar është ngritur. Të gjithë lojtarët janë në kampionatet më të mira në botë. Të gjithë japin maksimumin. Në çdo ndeshje kemi 11 lojtarë, nuk mund të futësh më shumë. Ndihemi të gjithë krenar dhe tani kemi një shans shumë të madh për të bërë ëndrrat e shqiptarëve dhe tonat, kualifikimi në Europian”, tha Laçi.
 
Ndeshja me Bullgarinë do të jetë një shans i artë për lojtarët, të cilët kanë koleksionuar pak minuta lojë, për të treguar se kanë merituar besimin e dhënë nga Silvinjo. Njëri prej tyre është edhe Ernest Muçi.
 
Talenti i Tiaranës ka qenë sot përpara gazetarëve për të prezantuar takimin e radhës të Shqipërisë, të cilin e konsideron si një mundësi të artë.
 
“Këtë ndeshje nuk e shikojmë shumë miqësore, e shikojmë më shumë si një ndeshje zyrtare. Shpresoj që të luajmë sa më mirë dhe të paraqitemi sa më mirë. Do të luftojmë shumë dhe do të duam që ta fitojmë”, tha lojtari i Legias së Varshavës.
 
Ashtu siç ndodh shpesh në përfaqësuese, të cilat kanë lojtarë në shumë vende të kontinetit historitë personale janë të shumta. Një të tillë tregon edhe Muçi me shokët e tij të skuadrës në Varshavë.
 
“Te ekipi im edhe për fitoren me Çekinë shumë lojtarë më thanë: ‘Faleminderit që fituat!’”, tregon Muçi.
 
Mes të tjerash sulmuesi pranon se seancat stërvitore me Silvinjon e kanë përmirësuar së tepërmi si lojtar, edhe pse në fushë ka koleksionuar shumë pak minuta titullari.
 
“Me Silvinjon kemi folur si do të përmirësohem si futbollist. Ai më ka ndihmuar që nga hera e parë që jam grumbulluar në Kombëtare”, thekson Muçi.
 
Si për të treguar harmoninë e plotë në grup Muçi flet me superlative për Asanin, golat e të cilit tashmë identifikojnë Shqipërinë në të gjithë Europën.
 
“Jam shumë i lumtur për Asanin sepse po bën shumë mirë dhe e meriton. Shpresoj që një ditë dhe unë të shënoj si ai”, përfundoi Muçi.