U mbajt seminari “Ndryshimet klimatike dhe mjedisi në Maqedoni”
Ndryshimet klimatike dhe mjedisi jetësor në Maqedoni është një nga komponentet më të komplikuara dhe më komplekse të negociatave që vendet anëtare kanë me Bashkimin Evropian...

Kështu vlerësoi në seminarin për menaxhimin me ujërat zëvendëskryeministri i angazhuar për çështje evropiane, Fatmir Besimi.
“Ne jo që e kemi të trashëguar nga paraardhësit tanë, por është përgjegjësi, pasi këtë mjedis që e kemi ne sot, e marrim apo e huazojmë nga gjenerata e ardhshme, prandaj në vend që të kritikojmë, të shikojmë rreth përgjegjësisë se çka ne mund të bëjmë për fëmijët tanë, për një ambient dhe mjedis më të pastër”- deklaroi zëvendëskryeministri, Fatmir Besimi.
Seminari u realizua në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Ekologjisë të Republikës së Francës dhe Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor të Maqedonisë.
“Republika e Maqedonisë si vend kandidat për integrime evropiane, ballafaqohet me sfida mjaft të mëdha. Mbetet edhe shumë të punohet për të arritur deri tek zgjidhjet konkrete, plane aksionare, strategji afatgjate edhe atë në sferën e klimës dhe të energjisë”- tha ambasadorja e Francës në RM-së, Lorens Oer.
Ky seminar do të paraqesë fillimin e bashkëpunimit midis Maqedonisë dhe Francës, deklaroi ministri i Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Nurhan Izairi.
“Për organizimin e këtij seminari, i cili paraqet përparim të bashkëpunimit dypalësh nga sfera e mjedisit jetësor midis Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Francës, si dhe bindjes time se ky është vetëm fillimi i aktiviteteve të ardhshme që do të vijojnë, konsideroj se me rëndësi të veçantë është shkëmbimi i njohurive për aktivitete aktuale, të cilat zbatohen në institucione, si dhe ato që planifikohen në të ardhmen, ndërsa kanë për qëllim implementimin e suksesshëm të legjislacionit evropian në pjesën e mjedisit jetësor dhe zhvillim të qëndrueshëm në Republikën e Maqedonisë”- u shpreh ministri i Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Nurhan Izairi.
Po ashtu, ministri Izairi ka theksuar se mjetet nga fondet IPA nuk do të jenë të mjaftueshme për ndërtimin e stacioneve të filtrimit në Maqedoni, prandaj po kërkohen edhe donatorë të rinj. (Gyltene Sinani, TVM2)
