PSG mrekullisht në ¼ e finales, Bajerni pa probleme

12.03.2015 15:34

Paris Saint-Germaini e ka bërë të pamundurën duke u kualifikuar në çerekfinale, pas rezultatit prej 2-2 në ndeshjen kthyese të të tetës së finales që u zhvillua në Stamford Bridge...

Përballja e parë e zhvilluar në Parc de Princes përfundoi me rezultat 1-1 dhe pas ndeshjes kthyese, kampioni francez vazhdon tutje me rezultat të përgjithshëm prej 3-3, por falë një goli më shumë në terren mysafir.

Momenti I vetëm dhe më i rëndësishëm i fraksionit të parë ishte përjashtimi i Zlatan Ibrahimovicit me karton të kuq. Suedezi dhe Oscar u përplasën për top, ndërsa ndërhyrja e Ibras ishte paksa e ashpër, gjithsesi për karton, por gjyqtari Kjupers pa u hamendur vendosi për të kuq, edhe pse ndoshta e gaboi ngjyrën.

Në gjysmën e dytë nuk kuptohej se cila skuadër kishte më pak lojtarë në fushë, pasi parisienët luanin më mirë se kundërshtari i tyre. Një rast fantastik pati Edinson Cavani, i cili e kaloi portierin, por goditja e tij u përplas në shtyllë dhe topi doli jashtë.

Një moment rrëmuje në zonë e shfrytëzuan lojtarët vendas të cilët kaluan në epërsi me anë të Gary Cahill në minutën e 81. Mirëpo, reagimi i ekipit francez ishte shumë i shpejtë. Pas pesë minutash, Lavezzi harkoi dhe David Luiz i shënoi me kokë ish skuadrës së tij.

Në pjesën e parë të vazhdimeve, Thiago Silva bëri një gafë duke e prekur pa nevojë topin me dorë dhe Eden Hazard realizoi nga penaltia. Mirëpo, ishte kapiteni i parisienëve ai që e përmirësoi gabimin e tij dhe për më shumë e dërgoi skuadrën në çerekfinale. Motta harkoi nga këndi dhe braziliani realizoi për mrekulli me kokë në minutën e 114-të, për plasman në çerekfinale të francezëve.

Ndërkohë aty është gjetur edhe Bajerni i Mynihut, pasi e mposhti më rezultat të thellë prej 7-0 skuadrën e Shakhtarit. Në minutën e tretë Oleksandr Kucher shkaktoi penallti dhe u ndëshkua më kartonë të kuq, kurse nga pika e bardhë Muller shënoi për 1-0. Në minutën 34 Boateng shënoi për 2-0. Ndërsa në pjesën e dytë shënuan edhe Ribery, Muller, Badstuber, Lewandowski dhe Gotze për të kompletuar fitoren e thellë të Bayernit, të dytën më të thellë në historinë e Ligës së Kampionëve.