Maqedoni

Samiti i Procesit të Berlinit, Leyen: Qasje Ballkanit në tregun e BE-së

16.10.2023 14:33

Procesi i zgjerimit sjell me vete edhe benefite ekonomike për vendet kandidate në procesin negociues për anëtarësim....

Procesi i zgjerimit sjell me vete edhe benefite ekonomike për vendet kandidate në procesin negociues për anëtarësim. Në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit, kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tregoi qëllimin e Unionit për t’i dhënë qasje Ballkanit Perëndimor në tregun e përbashkët evropian.
 
“Është një samit shumë i veçantë ky që kemi sot. Është i dhjeti Samit i Procesit, por për herë të parë zhvillohet në Ballkanin Perëndimor. Besoj se përcjell një mesazh të fuqishëm, se sa të përkushtuar jemi ndaj zgjerimit. Një nga temat kryesore do të jetë ekonomia e Ballkanit Perëndimor. Për këtë arsye kam prezantuar planin e rritjes. Duam që t’u japim qasje në tregun e përbashkët evropian. Për këtë, na duhen reforma në Ballkanin Perëndimor dhe ata që kanë vullnetin të reformohen, do të marrin financim nga Bashkimi Evropian. Është një stimul për ata që vërtet duan të ecin përpara. Dyert tona janë të hapura, kështu që le të punojmë për këtë të çuar para këtë plan rritjeje.”, - deklaroi kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. 
 
Kovaçevski: Zgjerimi s'duhet të bllokohet
 
Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, para fillimit të Samitit të liderëve të Procesit të Berlinit në Tiranë, tha se pret debate konstruktive për rritjen e bashkëpunimit rajonal. Në takimin e realizuar me komisarin për fqinjësi të mirë dhe zgjerim të BE-së, Oliver Varhelyi, është biseduar për mbështetjen e BE-së për zgjerim me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe nevojën e theksuar që Maqedonia e Veriut sa më shpejtë të bëhet pjesë e BE-së.
 
“Biseduam për procesin e zgjerimit fillimisht sa i përket procesit të skriningut, i cili po afrohet në fazën finale dhe drejt përgatitjes së raporteve përfundimtare. Biseduam edhe për lidhshmërinë në mes vendeve të Ballkanit Perëndimor para se gjithash këtu mendoj për lidhjen digjitale, e cila është një nga bazat për vendosjen e tregut të përbashkët rajonal, i cili do të jetë kompatibil me tregun e përbashkët evropian për vendosjen e infrastrukturës dhe mekanizmave.”, - theksoi kryeministri i RMV-së, Dimitar Kovaçevski.
 
Kryeministri Kovaçevski ka takuar edhe kryetaren e Bankës Evropiane, me të cilët është biseduar për projektet konkrete, siç është lidhshmëria e Korridorit 8 me Shqipërinë, si dhe projekteve që kanë të bëjnë me financimin e projekteve energjetike. Kovaçevski paralajmëroi takim edhe me nënkryetaren e Bankës Botërore sa i përket financimit të projekteve në vend në katër vitet e ardhshme.
 
FLORIJE KAMBERI