Sveçla publikoi fotografi të minave në veri, KFOR-i, bashkë me policinë patrullon kufirin
Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla...

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se armatimi i konfiskuar në veri të Kosovës jep sinjale të qarta për nivelin e përgatitjeve për sulme dhe përshkallëzim nga Serbia. Minat e konfiskuara në veri, Sveçla ka shkruar se ato janë një tjetër provë që Kosova ka të bëjë me grupe terroriste të mirë organizuara.
“Armatimi i konfiskuar në veri të Kosovës jep sinjale të qarta për nivelin e përgatitjeve për sulme dhe përshkallëzim nga Serbia. Minat dhe pajisjet e sofistikuara më poshtë janë një tjetër provë. Nevojitet ndonjë provë tjetër që kemi të bëjmë me grupe terroriste të mirë organizuara?”, ka shkruar Sveçla në platformën X.
Policia e Kosovës gjatë vikendit ka zhvilluar bastisje në shtatë lokacione në veri të vendit, ku janë gjetur granatahedhës dore, eksplozivë, mina kundër këmbësorisë, mina me sahat e teledirigjim, detonatorë e çanta me pajisje të ndryshme, prodhime të njëjta me ato që u sekuestruan në Banjskë dhe më herët në Zveçan.
Ndërkohë ushtarët e KFOR-it zhvilluan patrullime bashkë me policinë e Kosovës. Sipas njoftimit të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, patrullimet u zhvilluan Komanda Rajonale “West”, brenda zonës së tyre të përgjegjësisë.
“KFOR-i është gjithmonë i përkushtuar për të mbështetur paqen, bashkëpunimin dhe përparimin për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, sipas mandatit të saj, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, duke kontribuar në mirëmbajtjen e një mjedisi të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë.”, thuhet në komunikatën e KFOR-it. (Gyltene Sinani, TVM2)
