Lufta izraelito-palestineze, thellohet kriza humanitare
Pas sulmeve ajrore izraelite mbi Rripin e Gazës....

Pas sulmeve ajrore izraelite mbi Rripin e Gazës, numri i palestinezëve të vrarë në Gaza ka shkuar në 2,750, njoftoi Ministria e Shëndetësisë, ndërsa numri i të plagosurve është rritur në 9,700. Në mesin e viktimave nga sulmet izraelite janë mbi 750 fëmijë.
Autoritetet shëndetësore njoftojnë se në Bregun Perëndimor janë 58 të vrarë, si dhe të paktën 1,250 të plagosur.
Në një përshkallëzim dramatik të tensioneve në Lindjen e Mesme, forcat izraelite nisën sulme intensive ushtarake kundër Rripit të Gazës, në përgjigje ndaj një ofensive ushtarake nga grupi palestinez Hamas në territoret izraelite.
Përgjigjja e Izraelit është shtrirë deri në ndërprerjen e furnizimit me ujë dhe energji elektrike në Gaza.
"Është një tragjedi absolute. Fëmijët po vdesin nga uria dhe jetojnë në frikë dhe tmerr të vazhdueshëm. Rrugët janë bombarduar, shtëpitë janë shkatërruar, madje as kafshët nuk janë kursyer. Njerëzit po ikin nga shkatërrimi, nga dëshpërimi. Ka një gjendje të rëndë, mungesa e ushqimit dhe e ujit. Ka dy ditë që nuk kemi parë as lehtësim e as bukë.”, - theksoi një banore.
Biden konsideron gabim pushtimin e Gazës
Presidenti amerikan, Joe Biden, tha se është gabim që Izraeli të pushtojë Gazën, pasi kjo mund të përshkallëzonte situatën, por sipas tij është e kërkesë e nevojshme të nxjerrin, siç i quajti ai, ekstremistët nga Gaza.
"Unë mendoj se do të ishte një gabim i madh. Ajo që ndodhi në Gaza, sipas mendimit tim, është Hamasi dhe elementet ekstreme të Hamasit, që nuk përfaqësojnë të gjithë popullin palestinez. Dhe unë mendoj se do të ishte gabim që Izraeli të pushtonte Gazën përsëri, sepse kjo mund ta përshkallëzonte situatën. Por hyrja dhe nxjerrja e ekstremistëve, Hezbollahu është në veri, por Hamasi në jug, është një kërkesë e nevojshme.", - deklaroi presidenti i ShBA-së, Joe Biden.
Protesta në mbrojtje të Palestinës
Ndërkohë qindra protestues u mblodhën në rrugët e San Jose, të Kalifornisë për të treguar mbështetjen e tyre për Palestinën dhe për të protestuar kundër vdekjes dhe shkatërrimit që po ndodh tani në Gaza. Demonstruesit kërkuan fundin e çdo dhune, si dhe që ShBA-ja të ndalojë ndihmën për Izraelin.
“Ne jemi këtu për paqe, ne jemi këtu për të shpëtuar fëmijët në Gaza. Ne nuk jemi pjesë e Hamasit. ne jemi palestinezë, ne jemi vetëm nga Palestina, ne do ta mbrojmë Palestinën.”, - u shpreh protestuesja, Dunya Aljeboori.
Konflikti filloi më 7 tetor, kur Hamasi nisi operacionin "Tufani i Aksasë", një sulm i befasishëm me shumë drejtime, përfshirë një breshëri raketash dhe infiltrimesh në Izrael nëpërmjet tokës, detit dhe ajrit.
Hamasi tha se operacioni ishte në hakmarrje për bastisjet ndaj Xhamisë Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar dhe dhunës në rritje të kolonëve izraelitë kundër palestinezëve. Ushtria izraelite më pas nisi operacionin "Shpatat e Hekurta" kundër objektivave të Hamasit brenda Rripit të Gazës. (Farije Dauti – Bakiu, TVM2)
