FIFA rangimi: Maqedonia me plasmanin më të dobët në histori

12.03.2015 15:42

Përfaqësuesja futbollistike e Maqedonisë vazhdon të fundoset në rangimin e FIFA-s...

Në listën më të re të publikuar sot, ekipi verdhekuq, në vigjile të ndeshjes kualifikuese ndaj Bjellorusisë dhe asaj miqësore ndaj Australisë në fund të muajit, është gjetur në vendin e 108-të, duke ngecur për katër pozita në krahasim me rangimin e 30 ditëve të kaluara dhe duke regjistruar plasmanin më të dobët në histori.

Me 308 pikë të tubuara, Maqedonia tani më është edhe pas reprezentacioneve si Ishujt Faroe, Bocvana e Republika Dominikane.

Nga ana tjetër, Shqipëria ka regjistruar një ngritje prej dy pozitash në krahasim me muajin e kaluar. Të përzgjedhurit e Xhani de Biasit, pa asnjë ndeshje të luajtur tre muajt e fundit dhe para sfidës me peshë historike kundër Armenisë me 29 mars, me 548 pikë të tubuara, renditen në pozitën e 61-të.

Ndërkohë, në krye të rënditjes nuk ka ndryshime, me çrast e para është Gjermania, para Argjentinës, Kolumbisë, Belgjikës, Hollandës, Brazilit, Portugalisë, Francës, Uruguajit dhe Italisë, ndërsa Spanja, për herë të parë pas plotë 10 vitesh, nuk është gjetur në TOP 10. (Mustafa Ademi, TVM2)