Maqedoni
Kovaçevski - Sholc: RMV-ja të vazhdojë rrugën e saj evropiane
17.10.2023 11:05
Kryeministri Dimitar Kovaçevski, në kuadër të pjesëmarrjes në Samitin e Liderëve të Procesit të Berlinit...

Kryeministri Dimitar Kovaçevski, në kuadër të pjesëmarrjes në Samitin e Liderëve të Procesit të Berlinit, të mbajtur në Tiranë, Shqipëri, pas përfundimit të seancave të djeshme të punës së Samitit, pati një takim me Kancelarin e Republikës Federale të Gjermanisë, Olaf Sholc.
Në takim ku mori pjesë edhe zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq, u bisedua për perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut dhe zhvillimet aktuale në rajon, ndërsa kryeministri Kovaçevski e informoi kancelarin Sholc për zhvillimet politike në vend lidhur me bisedimet aderuese të Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian. Nga kancelari gjerman Olaf Sholc dhe nga RF-ja e Gjermanisë, Maqedonia e Veriut mori edhe një herë inkurajim dhe mbështetje të fuqishme për realizimin e hapit të ardhshëm në rrugën e planifikuar drejt anëtarësimit në BE - marrjen e vendimeve të rëndësishme që kemi përpara. Përpjekjet e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për vazhdimin e procesit të integrimit evropian u mirëpritën dhe u vlerësuan si hap pozitiv dhe progres në përmbushjen e kritereve për anëtarësim. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që Maqedonia e Veriut të vazhdojë rrugën evropiane dhe që vendi të arrijë një konsensus për çështjet strategjike që janë në interes të qytetarëve.
Kryeministri Kovaçevski theksoi se ne nuk duhet ta humbim këtë shans unik që e kemi dhe duhet ta japim votën tonë për Evropën. Ai theksoi se Maqedonia e Veriut ka nevojë për integrim, jo izolim dhe se vota në Kuvend për ndryshimet kushtetuese është votë për të ardhmen evropiane të Maqedonisë së Veriut. Bashkëbiseduesit u pajtuan se përshpejtimi i proceseve integruese është në interes të stabilitetit politik, të sigurisë dhe stabilitetin ekonomik të të gjithë rajonit.
