Trajneri Silvinjo & Strakosha: Për t’u kualifikuar në Europian kemi edhe dy ndeshje
17.10.2023 13:21
Shqipëria do të luajë takimin e radhës sot ndaj Bullgarisë, një miqësore e planifikuar për t’u luajtur në stadiumin ‘Air Albania’ në ora 18:00....

Shqipëria do të luajë takimin e radhës sot ndaj Bullgarisë, një miqësore e planifikuar për t’u luajtur në stadiumin ‘Air Albania’ në ora 18:00. Trajneri Silvinjo dhe portieri kuqezi Thomas Strakosha dolën sot në konferencën zyrtare për media, ku shpalosën dhe objektivat për sfidën e nesërme.
Paçka se është miqësore, trajneri i kuqezinjve nuk pranon ta konsiderojë ndeshjen ndaj Bullgarisë si të tillë, ndërsa zbuloi se në formacionin e nesërm do të ketë disa ndryshime. Silvinjo vlerësoi ekipin ballkanas, teksa tregoi edhe se çfarë ka ndodhur me Armando Brojën. Sa i përket kualifikimit të Shqipërisë ‘në Europian’, trajneri ritheksoi edhe njëherë se janë ende edhe dy ndeshje për t’u luajtur.
Koncepti miqësore apo zyrtare, çfarë ndryshon te lojtarët – Sigurisht që lojtarët e kanë kuptuar për pjesën e mentalitetit, për pjesën e ndryshimit të një ndeshje miqësore dhe zyrtare. Është një ndeshje që ka një audiencë shumë të madhe, shihet në të gjithë botën dhe është një mundësi e madhe edhe për ta edhe për ne. Kam vendosur në mendjen time të bëjë disa ndryshime të paktën tre apo katër lojtar, por nuk dua t’i them tani emrat sepse nuk është e drejtë, kemi edhe një tjetër stërvitje për të bërë, kshu që të shohim deri nesër për ndryshimet që do të bëjmë.
A mund të synojë Shqipëria diçka më shumë në Europian, si Maroku në Botëror? – Sa u takon objektivave në Europian, nuk mendoj për to. Për momentin mendoj vetëm për ndeshjet e nëntorit, të arrijmë objektivin zyrtarisht pasi asgjë nuk ka mbaruar akoma. Pas ndeshjes me Çekinë Shqipëria ka bërë një hap të madh, ishte diçka fantastike, atmosfera, lojtarët, ishte diçka shumë e bukur. E kemi thënë që në fillim që jemi në një grup të fortë, ku ka pasur shumë luhatje, siç mund ta vini re janë disa skuadra në garë, Moldavia, Polonia. Gjithçka do të vendoset në ndeshjet e nëntorit. Në kombëtaren shqiptare të gjithë janë të ndërgjegjshëm për forcën që kemi, për rrugën që kemi bërë, për faktin që duhet të arrijmë objektivat. Këto objektiva arrihen vetëm në ndeshjet e muajit nëntor. Pas Bullgarisë do mendojmë për këto ndeshje.
Nëse do e luanim në fillim ndeshjen me Bullgarinë, a do ishim kualifikuar? – Nuk kam keqardhje që kishim një ndeshje me Poloninë në mars. Ndeshja me ta, pavarësisht rezultatit, më dha mundësi të mira të kuptoja se si është gjendja e skuadrës. Ishte një ndeshje e fortë, kundër një kundërshtari të fortë, që na vlejti. Sigurisht nuk e njihja mirë ekipin. Që kur erdha kemi punuar me stafin, 10 orë gati në ditë, duke parë lojtarë, duke parë ndeshje. Pas asaj ndeshje m’u desh të njihesha më mirë me ekipin. Për 2-3 muajt e ardhshëm pata mundësinë të punoja me ekipin, të njihesha me lojtarët dhe të përgatisja sa më mirë ndeshjet e qershorit.
A jeni gati të firmosni një kontratë të re, për të na udhëhequr edhe në eliminatoret e Botërorit të ardhshëm? – Përgjigja është e njëjtë. Duhet të theksojmë se asgjë nuk ka mbaruar dhe nga ana jonë apo nga ana e Federatës për të ardhmen. Ne mendojmë se si të punojmë sa më mirë, të përgatisim sa më mirë ndeshjet e nëntorit. Jemi me kokën dhe mendjen tek ato ndeshje. Deri tani kemi bërë një punë shumë të mirë, siç e tha edhe Strakosha. Kemi një grup kompakt, që ka treguar gjithmonë shpirt të lartë gare e fushën e lojës dhe luan gjithmonë me zemër. Gjithçka për të cilën mendojmë janë ndeshjet e nëntorit, asgjë tjetër.
Portieri i Kombëtares, Thomas Strakosha ishte krah trajnerit Silvinjo në konferencën zyrtare për media. Thomas tregoi se situata në kampin kuqezi është mjaft pozitive në prag të kësaj sfide miqësore, ndërsa zbuloi edhe se çfarë ka ndryshuar te Shqipëria me ardhjen e trajnerit Silvinjo. Sipas Strakoshës, takimi i nesërm për kuqezinjtë është po aq i rëndësishëm sa një ndeshje zyrtare. Strakosha foli edhe për situatën e tij personale, ekipin e Brentford dhe kampionatin anglez.
Sa gati është Strakosha për këtë miqësore – Nuk futemi kurrë për të humbur, por për të fituar ndeshje. Ne e dimë që nuk kemi shumë ndeshje për të provuar ekipin dhe për të krijuar një grup të fortë, prandaj kjo sfidë për ne është shumë e rëndësishme për të krijuar një ekip solid dhe të fortë dhe ta kuptojmë njëri-tjetrin. Sidomos për ata lojtarë që nuk luajnë shumë, duhet të ndihen pjesë e grupit dhe kjo është shumë e rëndësishme për ta.
Situata në kampin kuqezi – Ndihemi shumë të lumtur. Grupi është pozitiv. Na ka munguar gjithë ato vite që kemi kaluar, pak të ështira. Meritojmë një kualifikim në Europian dhe ta mbyllim në vendin e parë. Kur grupi bëhet kaq solid dhe lojtarët nuk ndryshojnë shpesh dhe është një grup si tani, kjo është gjëja më e bukur dhe prandaj kemi edhe rezultate.
Çfarë ka ndryshuar Silvinjo? – Grupi është solid dhe nuk ndryshojnë shumë shpesh lojtarët. Jemi 24 lojtarë gjithmonë bashkë. Nuk ka kohë në Kombëtare për të ndryshuar grupin dhe kjo na ka munguar gjithë këto vite. Kjo është gjëja më e bukur që ka bërë ky trajner, ka krijuar grupin. Jemi shumë afër me njëri-tjetrin dhe kjo duket edhe në fushë.
A e ka menduar Strakosha se çfarë e pret në Gjermani? – Nuk e kisha menduar, por tani që jemi shumë afër po e mendojmë të gjithë dhe besoj se do të jetë akoma edhe më e bukur sepse nga eksperienca e parë kupton se çfarë gabimesh janë bërë. Tani kemi shumë lojtarë që luajnë në nivele të larta, kanë pasur eksperienca të tilla. Kemi një grup të mirë. Kemi edhe dy ndeshje për të luajtur që të sigurojmë kualifikimin. Por nëse kualifikohemi, ne e kemi ekipin për të provuar diçka më tepër në Europianin e ardhshëm.
Berisha apo Strakosha në portë në ‘finalet e Europianit’ – Nuk jam unë ai që vendos. Ka ende edhe disa muaj për të shkuar në finalet e Europianit. Vitin e kaluar mendoja se do të luaja me Brentford dhe kalova një dëmtim 7 muaj. Gjërat ndryshojnë, nuk i dihet kurrë. Duhet të jem i lumtur që jam me Kombëtaren dhe të jem mirë me shëndet.
Çfarë dini për ekipin Bullgar dhe çfarë prisni? – Presim një ekip që është i vendosur mbrapa dhe që do të na provokojnë me goditje standarde. Por ne duhet të shikojmë ekipin tonë dhe të provojmë të fitojmë ndeshjen.
