Bruksel, u vra i dyshuari për vrasjen e dy tifozëve suedez
Pas një kërkimi intensiv, 48-vjeçari....

Pas një kërkimi intensiv, 48-vjeçari i dyshuar për vrasjen e dy shtetasve suedezë në Bruksel u qëllua për vdekje në një operacion policor. Sulmuesi Abdesalam A. me origjinë tuniziane, i cili po qëndronte ilegalisht në Belgjikë, u vra në një kafene. Arma që i është gjetur është e njëjta me të cilën ka kryer krimin. Policia belge e cilësoi sulmin si terrorist.
“Prokuroria Publike Federale po e udhëheqë hetimin si sulm i mundshëm terrorist. Atë natë është publikuar një mesazh në rrjetet sociale nga një person që pretendon se është sulmuesi. Në video, ai thoshte se ishte anëtar i Shtetit Islamik dhe përmendi kombësinë suedeze të viktimave si motiv për sulmin. Ne kemi vendosur të rrisim nivelin e kërcënimit në nivelin e katërt në të gjithë territorin e Brukselit.”, - deklaroi kryeministri i Belgjikës, Aleksandar de Kro.
Sulmi terrorist ndodhi gjatë një ndeshjeje futbolli mes Belgjikës dhe Suedisë për kualifikueset e Kampionatit Evropian të vitit të ardhshëm.
Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, para se të hapte zjarr ndaj dy tifozëve të veshur me fanellat e kombëtares suedeze, ai ka thirrur “Allahu Ekber”. Ndeshja u ndërpre në pjesën e parë dhe mijëra tifozë u mbajtën në stadium për disa orë.
“Ne e morëm informacionin në internet. Federata belge e Futbollit dërgoi një mesazh që mos të dilet nga stadiumi, të qëndrojmë brenda sepse ka një sulm terrorist.”, - tha një qytetar.
“Ne po e shikonim ndeshjen dhe më pas na thanë se po ndërpritet, se stacionet e tramvajit dhe të metrosë janë mbyllur dhe se duhet të presim për më shumë informacion. Dhe tani më në fund na evakuuan.”, - u shpreh një qytetare.
Nga ana tjetër në Itali u parandalua një sulm tjetër i planifikuar terrorist. Njësitet speciale të policisë kanë arrestuar një shtetas italian me origjinë egjiptiane me akuzën e nxitjes së terrorizmit.
Pas përshkallëzimit të konfliktit mes Izraelit dhe militantëve të Hamasit dhe valës së protestave pro-palestineze, niveli i sigurisë është ngritur në numrin më të madh të kryeqyteteve botërore. (Belinda Koka – Ademi, TVM2)
