Unioni i Infermierëve, të pakënaqur me pagat dhe trajtimin

17.10.2023 16:57

Unioni i Infermierëve...

Unioni i Infermierëve shpreh pakënaqësi me pagat e ulëta dhe obligimet e punës, sidomos kur një infermiere mbetet në detyrë me 30 pacientë me gjendje të rëndë shëndetësore.

Standardet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë parashikojnë që për këtë numër pacientësh të jenë 7 ose 8 infermierë të angazhuar.

“Së pari, nuk mundemi fizikisht të arrijmë për shkak të hapësirave që i kemi. E dyta, numri i orëve është më i vogël sesa numri i nevojshëm i pacientëve. Nëse ne kemi orar 8 orë punë, ne kemi nga 20, 30 deri në 60 pacientë gjatë ditës që kanë nevojë për metodë diagnostike ose kontrolle.”, - theksoi infermierja në Spitalin “8 Shtatori”, Valentina Nestorovska.

Nga Unioni i Infermierëve thonë se kanë luftuar që të mos largohen nga puna në Ndihmën e Shpejtë në Strugë, Kumanovë dhe Veles, por infermierët jo vetëm që largohen në institucione private apo jashtë vendit, por disa lënë edhe profesionin e tyre.

Nga Unioni theksojnë se 1,400 infermiere punojnë me kontratë, me 12,000 denarë në muaj.

“Nuk mund të jemi vetëm numër dhe koeficient dhe të kemi rritje nga 10 deri në 15 për qind, por ka më shumë punime strukturore dhe punë bazike që duhet në mënyrë strategjike të zgjidhen, sepse investimi në infermieri është investim në një komb të shëndoshë. Nuk janë problem vetëm pagat, ne na mungon trajtimi, na mungon vëmendja dhe involvimi në politikat shëndetësore.”, - u shpreh kryetarja e Unionit të Infermierëve, Gordana Beshliovska.

Me të gjitha rritjet në periudhën e kaluar, paga e një infermiere në kujdesin parësor shëndetësor është pothuajse 24,000 denarë. Në RMV ka dy herë më pak infermierë se sa duhet. (Vlora Latifi – Topojani, TVM2)