Makron: Pezullimi i vizave për Kosovën mbetet i hapur

17.10.2023 17:32

Derisa autoritetet e Kosovës....

Derisa autoritetet e Kosovës kanë pritur sanksionimin e Serbisë, pas sulmeve të 24 shtatorit në veri të Kosovës, presidenti francez, Emanuel Makron, nga Tirana kërcënoi Kosovën, me mundësinë e pezullimit të vizave.

Ai njëherit tha se pret që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, t’i dënojë prerazi sulmet në Banjskë.

“Ne i ndjekim me shumë vigjilencë tensionet mes Prishtinës dhe Beogradit. Franca e Gjermania kanë bërë një propozim udhërrëfyes, që mendoj se është i fortë dhe i mirë dhe presim të respektohet nga të dyja palët. Është përgjegjësi e Vuçiqit t’i dënojë prerazi sulmet e 24 shtatorit, sepse kontribuon në kthimin e qetësisë në kufi. Dhe në etapat e ardhshme ajo që presim nga autoritetet, nga të dyja palët është e thjeshtë: Riorganizimi i zgjedhjeve në komunat e banuara me shumicë serbe, pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje e institucione, krijimi i asociacionit të komunave serbe nga autoritetet kosovare, kësaj radhe totalisht. Pres që Vuçiqi të jetë i përgjegjshëm dhe të njëjtën gjë pres edhe nga presidentja dhe kryeministri i Kosovës. Ne u kemi besuar për çështjen e vizave. Çështja është pezulluar nga ana e Francës, sepse ka të bëjë me respektin e fjalës së dhënë dhe fjala nuk po mbahet. Pres që të angazhohen të dyja palët që të ecim përpara në javët e ardhshme. Është kusht i paqes në të gjithë zonën.”, - deklaroi presidenti i Francës, Emanuel Makron.

Osmani: Dialogu me Serbinë duhet të rimendohet

Por, ndryshe nga presidenti francez, presidentja kosovare Vjosa Osmani ka kërkuar sanksione ndaj Serbisë, pasi sipas saj hetimet e institucioneve të Kosovës të mbështetura edhe nga partnerët ndërkombëtarë kanë dëshmuar se Serbia qëndron prapa aktit të agresionit të 24 shtatorit në veri të Kosovës.

Osmani, madje tha se edhe procesi i dialogut duhet të rimendohet.

“Ndërmarrja e masave lidhet drejtpërdrejtë me atë që quhet parimi i mësimeve të pësuara. Tashmë janë bërë më shumë se 12 vite në dialog dhe është koha për reflektim, sepse qasja e marrë parasysh gjatë këtyre 12 viteve, për fat të keq e ka inkurajuar Vuçiqin që ai të përdorë dhunë dhe të kryejë akt agresioni në raport me Kosovën. Prandaj nuk mund të sillemi sikur nuk ka ndodhur 24 shtatori. Duhet të ketë mësime të mësuara dhe i gjithë procesi i dialogut të rimendohet në suaza e të asaj që ka ndodhur me 24 shtator, duke e ditur se është shkelje e qartë e nenit 3 të marrëveshjes së dakorduar më 27 shkurt dhe aneksit të saj në Ohër më 18 mars.”, - theksoi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.                                                                           

Ndërkohë nga zyra e presidentit Makron kanë sqaruar qëndrimin e tij, duke theksuar se presidenti francez vlerësoi se çështja e liberalizimit të vizave mbetet e hapur. “Për më tepër, është një proces teknik dhe një diskutim që duhet bërë me partnerët tanë evropianë”, thuhet në sqarimin e kabinetit të Makronit. Vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën pritet të hyjë në fuqi më një janar të vitit 2024. (Gyltene Sinani, TVM2)