Maqedoni
Rasti "Target dhe Fortesa", Mijallkovi dhe të tjerë lirohen nga akuza
17.10.2023 17:54
Gjykata penale në Shkup ka marrë vendim për ndërprerjen e procedurës penale për përgjimet e paligjshme...

Gjykata penale në Shkup ka marrë vendim për ndërprerjen e procedurës penale për përgjimet e paligjshme, gjegjësisht rastin “Target-Fortesa” për të akuzuarit Goran Gruevski, Sasho Mijalkov, Nadica Nikoliq, Vladimir Varelov, Marijan Shumulikoski dhe Ilija Isakovski, për veprat penale bashkim kriminal dhe keqpërdorim të pozitës zyrtare.
Vjetërsimin e veprës penale për përgjimin e paligjshëm dhe lirimin e ish-shefit të DSK-së e mundësuan ndryshimet e fundit në Kodin Penal. Për Gordana Jankullovskën, Toni Jakimovskin dhe të akuzuarit në arrati, Nikolla Boshkovski dhe Goran Grujevski, që ndiqen për shkatërrimin e aparateve për përgjim, gjykimi do të vazhdojë. Ndërprerjen e ndjekjes penale e kërkoi prokurorja e rastit, Lençe Ristovska.
“Nuk do të kemi zgjidhje juridiko-penale dhe sërish nuk do të ketë përgjegjësi për përgjimin e paligjshëm në vend. Kemi vjetërsim të tërësishëm që është si pasojë direkte nga ndryshimet e fundit të Kodit Penal. Akoma nuk është vjetërsuar një pjesë e lëndës që ka të bëjë me shkatërrimin e pajisjeve të përgjimit. Për këto të akuzuar akoma nuk ka vjetërsim të veprës, megjithatë ndryshimet e Kodit Penal kanë implikim për shkak të shkurtimit të afatit.”, - deklaroi prokurorja publike, Lençe Ristovska.
Mbrojtja thekson se për shkak të anulimit të paragrafit 5 me ndryshimet e fundit të Kodit Penal, vepra vjetërsohet edhe për Gordana Jankullovskën dhe Toni Jakimovskin.
“Jemi të befasuar në mënyrë jo të këndshme që prokurori publik nuk qëndroi konsistent në pjesën e tërheqjes së akuzës edhe për të akuzuarit, Gordana Jankullovska dhe Toni Jakimovski.”, - theksoi avokati i Mijallkovit, Lupço Shvërgovski.
Shpenzimet për procedurën penale dhe dëmshpërblimet ndaj atyre që janë përgjuar ilegalisht bien mbi buxhetin e shtetit.
“Target-Fortesa” me vendim të Gjykatës së Apelit në fund të vitit kaluar ishte kthyer në rigjykim. Në vendimin e parë, ish-kreu i Policisë Sekrete, Sasho Mijalkov, ishte dënuar më 12 vite burg. Me katër vite burg ishte dënuar ish-ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankulovska, si dhe nga 15 vite burg për dy agjentët e kundërzbulimit, Nikola Boshkovski dhe Goran Grujovski.
Sipas akuzës së Prokurorisë, përmes tre sistemeve për ndjekje të komunikimeve në ish-DSK-në nga viti 2008 deri në vitin 2015 në mënyrë të paligjshme janë ndjekur komunikimet e rreth 4,300 numrave celular, pa vendimin e duhur gjyqësor për masa të posaçme hetuese.
FLORIJE KAMBERI
