Maqedoni

Komisioni Anketues për Onkologjinë, Filipçe dhe Mexhiti dëshmuan para deputetëve

17.10.2023 18:38

Keqpërdorimi i terapisë në Klinikën e Onkologjisë u mohua nga ish-ministri i Shëndetësisë...

Keqpërdorimi i terapisë në Klinikën e Onkologjisë u mohua nga ish-ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe. Para deputetëve, Filipçe tha se gjatë kohës së tij është vendosur kjo terapi, në sasi të mjaftueshme, të mirë menaxhuar nga ish-drejtori, Nino Vasev. 
 
Filipçe: Nuk kam pasur informacion për keqpërdorime
 
Me gjithë vlerësimin për funksionimin e klinikës, Filipçe kërkoi që dyshimet për punën e Vasev të zbardhen plotësisht.
 
“Ne siguruam terapinë e nevojshme në sasi të mjaftueshme për të gjithë pacientët. Pjesa e mbetur sa i takon dhënies së ilaçeve, kontrollit, është e menaxhmentit dhe klinikës. Ministri nuk ka qasje se si jepet terapia, kjo është punë e menaxhmentit dhe motrës kryesore medicinale. Kjo kështu ka qenë gjithmonë.”, - deklaroi ish-ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.
 
Sipas VMRO-së, ministri i Shëndetësisë nuk mund të hiqet nga përgjegjësia, pasi ka obligim që nëpërmjet drejtorëve të kontrollojë punën e klinikave.
 
“Po detyra e ministrit është funksion politik, megjithatë këtë mund ta lëvizni vetëm në kuadër të ligjit dhe Kushtetutës. A nuk jeni i vetëdijshëm se kishit rolin e kontrolluesit të punës së Klinikës Universitare?!”, - theksoi kryetarja e Komisionit Anketues, Rashella Mizrahi. 
 
Deputetët e opozitës ripërsëritën shkeljet sikurse mungesën e kolegjiumit profesional për vendosje të ilaçeve. Madje nga VMRO-ja pretendojnë se përfshirja e Filipçes në vendimmarrje të shëndetësisë ka qenë nga koha e ish-ministrit, Nikolla Todorov. 
 
“Ju ishit këshilltar profesionist i ministrit Todorov, saktë në kohën kur u sigurua Kato sistemi dhe akceleratori që nuk u vu në funksion. Supozoj se ideja nuk ka qenë e Todorovit për një sistem të tillë, por ka qenë ide e juaj.”, - u shpreh deputetja e VMRO-DPMNE-së, Gordana Siljanovska Davkova.
 
Kjo akuzë u përgënjeshtrua nga vetë Filipçe. 
 
Mexhiti: Skandali të ndriçohet sa më shpejtë
 
Ministri aktual i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti, siguron se situata në Onkologji ka ndryshuar. Për terapinë biologjike çdo të mërkurë vendos kolegjiumi profesionistë.
 
Kato sistemi për kontroll të terapisë është rikthyer, akceleratori do të vihet në funksion, protokolet janë përditësuar dhe saktë dihet se cilat infermiere kanë qasje tek ilaçet biologjike. Mexhiti kërkoi identifikimin e fajtorëve për skandalin e alarmuar.
 
“Kuptuam se hetime në Onkologji ka pasur edhe në vitin 2012-të, po procedohet lëndë gjyqësore e vitit 2019-të. Dy herë, policia ka ndërhyrë për vjedhje të terapisë nga infermiere, ku menaxhmenti i klinikës gjatë mandatit tim e lëshoi nga puna. Andaj është shumë rëndësishme të mos stërzgjatet i gjithë procesi dhe të mësohet se kush dhe si ka luajtur me jetën e njerëzve.”, - deklaroi ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti.
 
Opozita pyeti për futjen në listën pozitive të terapisë biologjike.
 
“Nëse kjo terapi biologjike do të ishte në listën pozitive të ilaçeve, në këtë rast furnizimin nuk do ta realizonte Onkologjia, por Ministria me çmime më të ulëta. A e keni ndër mend ta zgjeroni listën pozitive me këtë terapi dhe të kursejmë në të ardhmen?”, - theksoi deputeti i VMRO – DPMNE-së, Toni Jarevski. 
 
Ministri Mexhiti theksoi se lista pozitive është në fokusin e tij pasi 15 vite nuk është përditësuar. E njëjta do të përditësohet dy herë në vit, ndërkaq shikohen mundësitë që furnizimi me terapinë biologjike të jetë më sasior dhe me çmim më të ulët.
 
MERAL ISMAILI