Botë
Përleshjet mes Hamasit dhe Izraelit, mbi 2,860 palestinezë dhe 1,400 izraelitë të vrarë
17.10.2023 19:00
Vazhdojnë sulmet ajrore izraelite mbi Rripin e Gazës së izoluar...

Të paktën 2,860 palestinezë dhe 1,400 izraelitë janë vrarë që nga eskalimi i konfliktit. Ministria e Shëndetësisë në Gaza, njoftoi për 750 fëmijë të vrarë dhe mbi 10,860 palestinezë të plagosur nga bombardimet izraelite.
Organizata Botërore e Shëndetësisë njoftoi se ka nevojë urgjente për furnizim me elemente mjekësore dhe ndihma për civilët në Rripin e Gazës, pasi Izraeli vijon të bllokojë elementët jetikë, duke përfshirë kalimin e Egjiptit Rafah në jug. Edhe banorët atje thonë se Gaza po përjeton një krizë humanitare pa energji elektrike, ndërsa uji, ushqimi, karburantet dhe furnizimet mjekësore po mbarojnë.
“A i sheh ata fëmijë? Ai fëmijë ka të vjella gjatë gjithë mbrëmjes dhe ka diarre. Edhe motra e saj atje ka diarre dhe kjo e shqetëson gjatë gjithë natës. Nipi im atje ka temperaturë dhe është i lodhur. Sinqerisht, ne nuk dimë çfarë të bëjmë.", - u shpreh fizioterapistja palestineze, Amal Alatamna.
Sekretari amerikan, Antoni Blinken dhe kancelari gjerman, Olaf Sholc, ndodhen për vizitë në Izrael, për të biseduar rreth operacioneve ushtarake dhe furnizimit me ndihma humanitare të popullatës civile në Gaza.
“Dëgjojmë se si Izraeli do t'i kryejë operacionet ushtarake, në një mënyrë që minimizon viktimat civile dhe mundëson që ndihma humanitare të rrjedhë për civilët në Gaza. Për këtë qëllim dhe me kërkesën tonë, ShBA-ja dhe Izraeli kanë rënë dakord të zhvillojnë një plan që do të mundësojë ndihmën humanitare nga vendet donatore dhe organizatat shumëpalëshe për të arritur civilët në Gaza, duke përfshirë mundësinë e krijimit të zonave për të ndihmuar në mbajtjen e civilëve jashtë rrezikut. Është e rëndësishme që ndihma të fillojë të rrjedhë në Gaza sa më shpejt të jetë e mundur.”, - theksoi sekretari i shtetit i ShBA-së, Antoni Blinken.
Drejt Lindjes së Mesme do të udhëtojë edhe presidenti amerikan, Bajden, i cili të mërkurën do të marrë pjesë një samit në Jordani mes ShBA-së, Jordanisë, Egjiptit dhe palestinezëve, ndërsa do të vizitojë edhe Tel Aviv-in.
Ndërkohë lideri i Iranit, kërcënoi se nëse sulmet e Izraelit nuk ndalen, forcat e rezistencës do të ndërmarrin veprime në mbrojtje të Palestinës. Khamenei tha se Izraeli kreu gjenocid të vazhdueshëm kundër palestinezëve në Gaza, para syve të botës.
FARIJE DAUTI BAKIJU
