Matura shtetërore, Ristovski nuk i arsyeton protestat e nxënësve
Zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Spiro Ristovski, nuk arsyeton kërkesat dhe protestën e nxënësve të shkollave të mesme për ndryshimin e konceptit të maturës shtetërore, e cila parasheh futjen e lëndës së matematikës si obligative...

Sipas tij, provimi në lëndën e matematikës do të jetë i përbërë nga detyra të nivelit elementar, pasi që në Maqedoni është e patjetërsueshme ngritja e nivelit të njohurive në lëndën e matematikës. Sipas tij, përderisa ky testim realizohet në shumë vende anëtare të Bashkimit Evropian, drejt së cilës aspiron edhe Maqedonia, atëherë pse mos ta realizojnë atë edhe nxënësit tanë.
“Unë e kuptoj brengën dhe shqetësimin e nxënësve, mirëpo me këtë rast do të kisha dashur të apeloj dhe të them se bëhet fjalë për baza, gjegjësisht nivel elementar të lëndës së matematikës dhe nuk duhet të ekzistojë frikë tek ata nga aspekti i asaj se si do ta mbizotërojnë materialin, pasi që unë besoj në kapacitetin e tyre dhe e di që të njëjtit do të arrijnë. Numri më i madh i vendeve si anëtarë në Bashkimin Evropian, drejt së cilës aspirojmë tanimë shumë vite edhe ne, e kanë matematikën si lëndë obligative në të gjitha nivelet”- deklaroi zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Spiro Ristovski.
Edhe pse Ristovski tha që testimi do të jetë në nivel elementar, nxënësit thonë se nuk do të heqin dorë nga kërkesat e tyre deri sa nuk marrin përgjigje nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.
“Nuk mund të shpresojmë në atë që na e thonë, ne jemi në një farë mënyre sikur minj eksperimental dhe kjo është hera e parë ku testohet matematika dhe nëse ata nuk heqin dorë, me siguri që edhe ne nuk do të heqim dorë nga kërkesat tona”- tha nxënësi, Mihaill Donevski.
Ristovski, tha se në periudhën e ardhshme planifikohen trajnime shtesë për ata nxënës që do të shprehin interes në lëndën e matematikës. (Florije Kamberi, TVM2)
