Aliti: Na duhen masa urgjente nga brenda dhe jashtë
Maqedonia është në krizë të thellë politike dhe vendi i fundit në listën e vendeve që aspirojnë të anëtarësohen në BE, shprehu dëshpërimin e saj deputetja, Nora Aliti, njëkohësisht kryetare e Komisionit për Çështje Evropiane...

Një ditë pas miratimit të Rezolutës për Maqedoninë në Parlamentin Evropian, ku rekomandohet hapërimi i procesit paraqasës të vendit drejt Unionit, por ku gjithashtu paraqitet shqetësimi i PE-së për zhvillimet e fundit në vend, Komisioni për Çështje Evropiane dhe Këshilli Nacional për Eurointegrime mbajti mbledhje të përbashkët ku shqyrtoi programin nacional për miratimin e së drejtës së Bashkimit Evropian dhe pasqyrën narrative të realizimit të këtij programi dhe ku njëkohësisht debatoi procesin integrues në tërësi.
Zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Fatmir Besimi, ftoi për më shumë përkushtim në respektimin e kritereve të Kopenhagës dhe zbatimin në praktikë të së drejtës së Bashkimit Evropian, të përfshirë në ligjet dhe normat vendore.
“Një përkushtim i plotë në agjendën tonë evropiane është më se i nevojshëm, sepse është periudhë kur ne pritet të tregojmë një proces më të suksesshëm. Kur bëhen vlerësimet në Bruksel për Maqedoninë, se ne këtë vit do të fillojmë zyrtarisht negociatat, në këtë vit do të kemi rekomandim pa negociata zyrtare, siç kemi pasur në gjashtë vitet e kaluara, apo në këtë vit nuk do të kemi datë negociatash, por as status-kuo”- deklaroi zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Fatmir Besimi.
Maqedonia është në krizë të thellë politike dhe vendi i fundit në listën e vendeve që aspirojnë të anëtarësohen në BE, shprehu dëshpërimin e saj deputetja, Nora Aliti, njëkohësisht kryetare e Komisionit për Çështje Evropiane.
“Prandaj, masa urgjente janë të nevojshme si nga brenda ashtu edhe nga jashtë. Mënyra e vetme që do të pengonte zhytjen më të thellë të vendit në jostabilitetin politik është një ndërhyrje dhe asistencë direkte nga vendet anëtare të BE-së dhe ShBA-ve, së pari në ringjalljen e dialogut politik, në zgjidhjen e krizës politike, në kthimin e besimit të qytetarëve tek institucionet shtetërore dhe më pas ndriçimin institucional të të gjitha akuzave”- deklaroi kryetarja e Komisionit për Çështje Evropiane, Nora Aliti.
Ndërkaq, nënkryetari i Këshillit Nacional për Eurointegrime, Ilija Dimovski, pavarësisht vërejtjeve dhe kërkesa të tjera të KE-së, u ndal vetëm në çështjen e emrit, si pengesë e vetme në procesin integrues.
Ai edhe një herë akuzoi faktorin ndërkombëtar për mungesë interesi që të dëgjojë qëndrimin e Maqedonisë dhe ta trajtojë Maqedoninë si vendet e tjera të dala nga blloku i vendeve ish-komuniste. Sipas tij, kontesti i emrit me Greqinë nuk është dëshmi e mjaftueshme për të bllokuar procesin integrues të Maqedonisë. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
